09/04/2017
Analizë e Organizatës JoQeveritare "Veprimet Tona", pjesë e Rrjetit të OJQ-ve Lokale "Demokracia Fillon Këtu"
Beteja elektorale e Podujevës, me të panjohura
Në ballafaqimet e kaluara elektorale, qyteti verior i vendit, Podujeva, nuk e kishte vëmendjen e duhur të opinionit publik, mbase për faktin se konsiderohej si një kala e pamposhtur e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me një PDK opozitare në Podujevë, e cila kishte në radhët e saj figura mjaftë të njohura në nivelin qendror, LDK përsëri shënonte fitore të njëpasnjëshme që nga viti 2000 e tutje.
Deri në vitin 2005, në Kosovë ishin organizuar 4 palë zgjedhje. Dy palë zgjedhje lokale (2000 dhe 2002) dhe dy palë zgjedhje parlamentare (2001 dhe 2004). Në këto cikle zgjedhore, arsyet e fitores bindëse të LDK –së, konsiderohen të jenë ato të frymës dhe figurës shumë të fuqishme të Ish – Presidentit Ibrahim Rugova. Nëse krahasohen përqindjet dhe numrat e votave, me shumicën e komunave të Kosovës, Podujeva nuk përbënte ndonjë ndryshim cilësor. Ishte aty, në kufijtë e një fitoreje bindëse të LDK –së, kundrejtë PDK –së.
Në zgjedhjet e vitit 2007, PDK në Podujevë ishte fuqizuar shumë, kishte zhvilluar një fushatë mjaftë të dendur, të konsoliduar dhe kishte arritur të hapej për kuadro të reja. Shto këtu faktin se kjo parti, në nivel të vendit, kishte ndryshuar mjaftë shumë imazhin e saj, në Podujevë arriti jo vetëm të futej në ballotazh, por të zvogëlonte dallimin nga minus 10.000 vota, në minus 1800 vota kundrejtë LDK –së. Dy partitë rivale, në këtë betejë, në raundin e dytë, u ndanë 54 % me 46 %, në favor të LDK –së. Kjo fitore në atë periudhë u vlerësua se u arritë për shkak të ndikimit të ish Kryetarit të LDK –së z. Fatmir Sejdiu, faktit se në Podujevë nuk ishte krijuar fraksioni LDD, dhe AKR e Begjet Pacollit, që ishte në rritje në atë periudhë, kishte një organizim të dobët në Podujevë. Të njëjtat shkaqe konsiderohet se ndikuan edhe në fitoren e LDK –së në vitin 2009.
Pas kësaj periudhe, kur z. Fatmir Sejdiu më nuk ishte Kryterar i LDK –së, podujevasit, filluan ta gjykojnë qeverisjen lokale me syrin kritik duke shfaqur, gjithënjë e më shumë pakënaqësi, me kualitetin e qeverisjes, fenomenet negative si punësimet klienteliste në arsim, prokurimet korruptive, subvencionet bujqësore selektive, shërbimet e dobëta administrative, infrastruktura e dobët sidomos në qytet etj. Në zgjedhjet e vitit 2013, ishte krijuar një masë kritike e qytetarëve të pakënaqur që kërkonin ndëshkimin e një pushteti të një trajtshëm 13 vjeçar. PDK si forcë kryesore opozitare, me gjithë përpjekjet që bënte, për shkak të gabimeve në strategjinë elektorale, gjendjes së dobët organizative, refuzimit për të reformuar strukturën koceptin politik dhe strategjinë e komunikimit me publikun, me gjithë rritjen e madhe të saj (mbi 15 mijë vota, për shkak të frymës ndëshkuese atë vit), arriti të krijojë kundërefekt mobilizues në anën e kundërt duke humbur që në roundin e parë.
Tani, në zgjedhjet që po vijnë, menyja politike në Podujevë, ka ndryshuar shumë. Kryetari aktual i Komunës, z. Agim Veliu, ka vijuar të qeverisë në një sintoni të plotë me stilin e vjetër, ku ai vendoste për cdo gjë, për subvencionet, rekrutimin e cdo mësimdhënësi, dhënien e cdo tenderi, kontrollin e punësimit të cdo njërit që punësohej në administratë etj. Në këto 4 vite, qartazi pakënqësia popullore me pushtetin lokal, ka rritje cilësore. Dëshmi e kësaj, është edhe rezultati tejet i dobët i LDK –së në zgjedhjet parlamentare të qershorit duke prodhuar rritje enorme të LVV’së.
Bazuar në sondazhe kredibile, llapjanët në shumicë (mbi 50 %) janë të pakënaqur me situatën ekonomike, në shëndetësi, arsim, mjedis etj. Poashtu edhe preferencat politike kanë një ndryshim real. Kërkesat e tyre, të përmbledhura, nënkuptojnë nevojën e një menaxhmenti komunal që qeverisë pa dallime partiake, që merret seriozisht me sanimin e situatës në shëndetësi, arsim, infrastrukturë të qytetit etj.
Siç dihet tashmë, në këtë qytet, një prezencë të fuqishme, nga qershori e tutje, e ka edhe LVV e radhitur si e dyta në zgjedhjet parlamentare. LDK, LVV dhe PDK në Podujevë kanë një dallim prej 1500 deri në 2000 vota. Kjo do të thotë se gara kryesore do të zhvillohet në mes të 3 kandidatëve të këtyre partive. Sigurisht, bazuar edhe në reflektimin programor të kërkesave të qytetarëve, figurat politike, publike dhe pastërtia e kandidatëve për kryetar do të jetë mjaftë përcaktuese e disponimit final të votuesve.
Agim Veliu: Rrethana favorizuese konsiderohet të jenë: Figurë mjaftë e fuqishme dhe me ndikim në LDK për shkak të fitoreve të njëpasnjëshme në të kalurën, ka në kontrollë të plotë strukturën partiake të LDK –së si dhe ka një përvojë të gjatë në organizimin politik. Rrethana jo të favorshme: figurë e vjetër dhe e konsumuar, ka qeverisur me dorë të hekurt duke kontrolluar cdo gjë në komunë, rezultatet e qeverisjes së tij janë mjaftë modeste në krahasim me komuna tjera në Kosovë, në përceptimin e një pjese të popullatës konisderohet i korruptuar dhe nepotik që e bën lehtë të mundshme situatën ndëshkuese si në Prishtinë në vitin 2013. Pjesë e konsiderueshme e llapianëve, sidomos shtresat e shkolluara, nuk e shohin si njeriun me të cilin do të mund të zhvillohet mirëfilli qyteti i Podujevës.
Ajet Potera: Rrethana favorizuese konsiderohet të jenë: Figurë e re, mjaftë dinamik, background të një luftëtari të mirë e të dëshmuar të UÇK –së, një nga kuadrot e spikatur të ish TMK –së dhe FSK –së, mjaftë agresiv në tentimin për të konsoliduar frymën në rritje pro LVV’së. Rrethana jo të favorshme: mungesa e përvojës politike, mungesa e përvojës institucionale administrative, mungesa e përvojës qeverisëse, mungesa e ekipit të pajisur me ekspertizë (Qendra e LVV’së në Podujevë konsiderohet se ka mungesën më të madhe të kuadrove të përgatitur për të qeverisur në raport me dy partitë tjera), përqasjet agresive dhe përjashtuese në komunikimin publik, mungesë organizimi të strukturave të terrenit.
Hajredin Hyseni: Rrethana favorizuese konsiderohet të jenë: Figurë e pastër politike, konsiderohet i pakorruptuar me gjithë faktin se në vazhdimësi ka qenë në struktura të larta drejtuese shtetërore dhe partiake, i shkolluar me rezultate mjaftë të mira për shkenca politike/ administratë publike, background të jashtëzakonshëm patriotik, një nga liderët e lëvizjes kombëtare për liri, vëlla i dëshmorit të UÇK –së, përvojë të gjatë organizative, politike dhe qeverisëse (13 vite deputet i Kuvendit të Kosovës, zëvendësministër, anëtar i kryesisë qendore të PDK –së), vlerësohet si kandidati që ka një rreth të teknokratëve mjaftë të dëshmuar rreth vetës, tolerant ndaj kuadrove të reja, i edukuar dhe pozitiv në qasjen e komunikimit. Rrethana jo të favorshme: figurë që e pengon partia duke e ditur se PDK, ka një rënie në përceptimin pozitiv publik, përgjithësisht jo shumë i pranishëm në arenën mediatike dhe publike, jo mjaftë i vëmendshëm në lojën e PR (public relations) me rrjete sociale dhe media tjera, komunikim publik tejet të përmbajtur në një klimë politike goxha acaruese.
Një gjë është e sigurtë, gara politike në Podujevë kësaj radhe do të prodhojë më shumë lajme se sa në të kaluarën. Ndryshimet tektonike në skenën politike, mund të dëgjohen fuqishëm në Podujevë. Të tre kandidaturat në Podujevë janë mjaftë serioze, do të varet krejtësisht se si ata do të mund të kapitalizojnë avantazhet e tyre në fushatë e kjo do të na j*p emrin e fituesit. Përtej kësaj, neve organizatë joqeveritare, vlerësojmë se kriteret që duhet të përmbushë Kryetari i ardhshëm i Podujevës janë: të jetë figurë e re në kreun e ekzekutivit të Komunës, të jetë figurë e pastër nga aferat korruptive, të ketë përvojë politike, administrative dhe qeverisëse, të prezantojë program me premtime të qarta, konkrete, të bazuara në ligje dhe dokumente zyrtare, premtime këto që do të ishin reflektim i kërkesave të qytetarëve poashtu edhe të bazoheshin në një incizim të plotë të problemeve që ka Podujeva.