15/08/2022
Pa u bërë 24 orë nga njoftimi për reduktime të energjisë elektrike në Kosovë, duket që është gjetur zgjidhja. Së paku tash për tash.
Në pasditen e 15 gushtit, Ministria e Ekonomisë konfirmoi se është rikthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike, pas një marrëveshjeje të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike, kurse për furnizim është Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).
Në mëngjesin e së hënës, KEDS-i njoftoi për reduktime të rrymës sipas orarit – gjashtë orë me të dhe dy orë pa të.
Furnizimi, është thënë se po bëhet vetëm nga prodhimi vendor për shkak të çmimit të lartë të energjisë në berzat ndërkombëtare.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, prodhimi ditor i rrymës në KEK aktualisht është 507 megavat në orë, kurse kërkesa për konsum është deri në 750 megavat në orë.
Diferenca tjetër duhet të importohet.
Çmimi i energjisë në bursën hungareze (HUPX) është rreth 430 euro për megavat.
Një megavat energji në gusht të vitit të kaluar ka kushtuar deri në 150 euro.
KEDS-i ka thënë më 14 gusht se nuk ka mundësi financiare të sigurojë energji nga importi, për shkak të “çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare”.
Detajet rreth marrëveshjes me Shqipërinë nuk u dhanë, përveç asaj se:
“Bashkëpunimi me Shqipërinë do të pasohet nga të tjera masa në adresim të krizës energjetike dhe gjendjes së emergjencës ku ndodhemi”, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Përndryshe, deri më tani, KEK-u i ka ofruar rrymë tepricë Korporatës Energjetike të Shqipërisë (KESH), gjatë muajve të verës, e cila më pas kthehet në Kosovë në dimër, kur kërkesa rritet.
“Deri më 31 korrik 2022, KEK-u ka të deponuara në Korporatën shqiptare sasi prej mbi 100 mijë megavatësh orë energji”, ka deklaruar Skender Bucolli, zëdhënës i KEK-ut.
Teprica e rrymës i ofrohet Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes për bashkimin e tregjeve të energjisë elektrike në mes të të dyja vendeve.
Kjo marrëveshje është nënshkruar në tetor të vitit të kaluar.
Pak pas paralajmërimit për reduktime në verë, qytetarët e Kosovës janë shqetësuar menjëherë për dimër.
Atë periudhë kërkesa e konsumatorëve arrin në 1.300 megavat energji në orë.
“Nuk kam koment, 20 vjet pas luftës të ndalet rryma. Mjerët ne ku jetojmë. Në gusht kur ka reduktime, dimrit çka na pret?” pyet profesori i historisë, Xhavit Cakolli.
Greta Ejupi, studente në Universitetin e Prishtinës, jetën pa energji elektrike e sheh sfiduese.
“Nuk di qysh mësohet pa rrymë, qysh përgatitet ushqimi, qysh bëhet pastrimi i teshave,” thotë ajo.
“Ata që jetojnë në banesa dhe kanë ngrohje qendrore, ndoshta e kanë me lehtë. E ne të tjerët si po duket do të ngrohemi me batanije”, shtoi Greta.
Avdi Gjonbalaj, inxhinier i ujërave, konsideron se qytetarët nuk mund t’i bëjnë zgjidhje këtij problemi, përveç se të përshtaten me situatën.
Ai, megjithatë, mendon se duhet të ndalet shfrytëzimi ilegal i rrymës.
“KEDS-i dhe KEK-u kanë mundësi t’i zvogëlojnë humbjet, më të cilat nuk merret askush në Kosovë”, shprehet Gjonbalaj.
Cila është zgjidhja?
Për ish-ministrin e Energjisë, Ethem Çeku, njëherësh ekspert në këtë fushë, zgjidhja e vetme e problemit në periudhë afat-shkurtër është investimi në termocentrale dhe aktivizimi i të gjitha blloqeve.
Aktivizimi i të gjitha blloqeve, sipas tij, do të mundësonte prodhimin e mbi 1.000 megavatëve energji.
“Të gjitha këto politika, të gjitha këto zhurma që po bëhen, diskutime, nuk mund të nxjerrin Kosovën nga ky kolaps energjetik, nëse nuk hyjmë thellë në studime të termocentraleve të ‘Kosovës A’ dhe ‘Kosovës B’. T’i mbajmë këto blloqe, pastaj të shohim”, thotë Çeku.
Më pas, shton ai, mund të shikohen alternativa tjera, siç janë ndërtimi i blloqeve te reja apo kyçja në sisteme të reja të energjetikës, siç është gazi.
Ku është problemi me termocentralet?
Korporata Energjetike e Kosovës operon me dy termocentrale në Obiliq, të cilat prodhojnë energjinë nga thëngjilli – Termocentrali “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Termocentrali “Kosova A” përbëhet nga pesë blloqe punuese. Blloku i parë ka filluar punën në vitin 1962.
Por, ky termocentral gati që një dekadë operon me vetëm tri blloqe.
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se aktualisht në prodhim janë dy blloqe nga “Kosova A”, edhe një bllok i ”Kosovës B”.
Ndërkohë, blloku tjetër i “Kosovës B” është në riparim dhe puna pritet të përfundojë më 26 gusht 2022.
Ish-drejtori i KEK-ut, Njazi Thaçi, thekson se nëse riparimet realizohen në kohën e duhur, dimri do të jetë më i përballueshëm.
Edhe ai shprehet se në planin afat-shkurtër, Kosova nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveçse punimeve në blloqe, kurse, prishjet apo daljet e tyre nga sistemi, mund të ndodhin për shkak të vjetërsisë.
“Zakonisht, njësitë e termocentraleve në remont shkojnë deri në shtator apo tetor, për shkak se dimrit në temperatura të ulëta është i pamundur riparimi për shkaqe teknike dhe vjetërsisë së tyre,” tha ai.
Kriza energjetike, e cila kërcënon Evropën, e rrjedhimisht edhe Kosovën, është pasojë e çmimeve të larta dhe jostaabile të energjisë në bursat ndërkombëtare.
Ngritja e çmimeve, fillimisht nisi si pasojë e pandemisë së koronavirusit, ndërkaq hovin më të madh të ngritjes e mori pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt të këtij viti.
Çmimi i lartë i energjisë në tregje ndërkombëtare ka shtyrë KEDS–in që më 9 gusht të kërkojë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE), rritje të tarifave të energjisë elektrike.
Vendimi nuk është marrë ende.
Një rritje e faturave të energjisë – për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 megavat – veçse është bërë në muajin shkurt të këtij viti.