28/10/2024
Vinicius Jr, sulmuesi i Real Madridit, nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e “Topit të Artë” që do të zhvillohet sonte në Paris. Lajmi është konfirmuar nga klubi madrilen, i cili ka vendosur që asnjë përfaqësues i tij të mos udhëtojë drejt Francës për ngjarjen e përvitshme të ndarjes së çmimit. Ndër të tjera, as presidenti Florentino Pérez, trajneri Carlo Ancelotti apo mesfushori Jude Bellingham nuk do të jenë të pranishëm në ceremoni.
Ky vendim surprizë duket të jetë në shenjë zhgënjimi pasi Vinicius Jr, një nga lojtarët më të dalluar të klubit, nuk pritet të fitojë “Topin e Artë.” Ndërkohë, mesfushori spanjoll i Manchester City, Rodri, i cili sapo është rikuperuar nga një operacion dhe ende ecën me paterica, ka mbërritur në Paris i shoqëruar nga familja e tij. Rodri shihet si kandidati kryesor për të fituar këtë çmim prestigjioz, duke qenë se gara ishte e ngushtë mes tij dhe Vinicius Jr.
Vendimi i Real Madrid për të bojkotuar ceremoninë ka ngritur pyetje dhe ka nxitur reagime të shumta në botën e futbollit, duke reflektuar tensionet në garën për çmimet më të larta individuale.