Jetojmë në kohët kur jemi të mbytur në propagandë, kur hapësira e mediatizuar është shumë e polarizuar dhe kufijtë mes raportimit dhe avokacisë janë zbehur.
Sot kemi raportime nga protesta e lëvizje si Black Lives Matter, Parkland Students, #MeToo dhe debati nëse reporterët mund dhe duhet apo jo të shprehin mendimet jashtë redaksisë, si në rrjetet sociale, apo të marrin pjesë nëpër marshime, është më i nxehtë se kurrë.
Sot kemi gazetarë që bëjnë aktivizëm, por kemi dhe aktivistë që kanë filluar të bëjnë gazetari (ACLU, Human Rights Watch, Greenpeace, në Shqipëri EcoAlbania dhe të tjerë)
Në shumë redaksi sot besohet se nuk ekzistojnë dy këndvështrime për çështje të caktuara si racizmi, përjashtimi, pabarazia, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Kur gratë protestojnë dhe gazetari del me ta në protestë, a e ka kapërcyer cakun profesional?
Kur studentët, ambientalistët, punëtorët apo komunitetet e margjinalizuara (romët, egjiptianët, LGBTI+) zbresin në rrugë, a është një gazetar i njëanshëm nëse mbron të drejtat e tyre?
Redaksitë e sotme janë objektivisht më të larmishme, a mundet të ketë objektivitet në redaksi me pikëpamje shumë diverese?
Po mediat e mbështetura në forma filantropike me axhenda parësore, a duhet të jenë objektive në kuptimin standard të fjalës?
Përthyerjen e mesazhit drejt kahjeve të caktuara, e bën vetëm media, apo audienca ka rol të forcuar në receptimin e tyre?
Ekziston një ndarje brezash mes gazetarëve të vjetër që ruajnë idenë klasike të ndarjes së lajmit nga opinioni dhe gazetarëve të e rinj; më të zellshëm për puqjen e personit publik me atë privat.
Citizens Channel përqafon vërejtjen e Yochai Benkler se: objektivitetin nuk duhet ta kuptojmë thjesht si neutralitet, por si aksion i përhershmen drejt së vërtetës. Kur hapësira është e mbushur me propagandë, të jesh neutral, mund të ndihmosh përhapjen e saj.
Kush jemi?
Lorin Kadiu - Drejtor Ekzekutiv | Redaktor
Ka kryer studimet bachelor në Gazetari dhe Komunikim dhe ka një master shkencor (MSc) për Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej vitesh është angazhuar pranë një sëre mediash lokale dhe ndërkombëtare si gazetar, redaktor dhe trajnues në metodat inovative të gazetarisë. Aktualisht është drejtor ekzekutiv i Qendrës Citizens Channel.
Erisa Kryeziu - Gazetare
Ka mbaruar studimet bachelor në Gazetari dhe Komunikim dhe ka një master shkencor (MSc) për Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Ka studiuar për Mass Media dhe Komunikim në Budapest , Hungari si përfituese e bursës Erasmus +. Prej vitesh ka qenë e angazhuar vullnetarisht në disa organizata si gazetare dhe redaktore . Aktualisht është gazetare pranë Citizens Channel në zhanrin e raportimit të thelluar dhe përdorimit të teknikave të reja të raportimit si Mobile Journalism.
Entenela Ndrevataj - Gazetare
Ka mbaruar studimet e nivelit Bachelor në Punë Sociale dhe ka një Master Shkencor (MSc) për "Çështjet e fëmijës dhe familjes" në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale. Prej disa vitesh është e angazhuar si aktiviste në kauza të ndryshme civile. Aktualisht është gazetare pranë Citizens Channel, ku mbulon çështje të të drejtave të njeriut dhe komuniteteve të margjinalizuara.
Elira Kadriu - Gazetare
Është diplomuar në nivelin Master në Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka eksperiencë në median tradicionale dhe online. Ka punuar si redaktore në materiale të ndryshme botimi. Aktualisht është e angazhuar në mbulimin e çështjeve sociale dhe kulturore pranë Citizens Channel.
Xhemali Moku - Editor Vizual
Është diplomuar në Inxhinieri Mekatronike në Universitetin Politeknik të Tiranës. Pas diplomimit ka punuar si teknik IT dhe ka marrë trajnime intensive në fotografi dhe videografi duke vazhduar karrierën si ekspert i pavarur në prodhimin dhe editimin e materialeve multimediale. Gjatë kësaj periudhe ka bashkëpunuar me organizata dhe media të ndryshme lokale dhe ndërkombëtare. Aktualisht është editor i produkteve vizuale pranë Citizens Channel.