Manifesti LIBRA
Të ndërgjegjshëm se Shqipëria është vonuar dhe penguar në procesin e integrimit në Bashkimin Europian për shkak të mungesës së reformave, varfërise dhe cënimit të shtetit ligjor,
Të shqetësuar për shkak të degradimit dhe paaftësisë së partive të vjetra për të garantuar demokraci funksionale, rritje ekonomike, punësim, mirëqenie dhe arsim për të gjithë,
Të hidhëruar nga braktisja
masive e Shqipërisë, së përgjysmuar në 25 vjet për shkak të mungesës së shpresës,
Të indinjuar se burimet natyrore të vendit po shpërdorohen në mënyrë barbare nga korrupsioni, mungesa e vizionit dhe paaftësia kronike e qeverive,
Të alarmuar nga rritja e polarizimit social, që ka çuar në shtimin e varfërisë së përgjithshme dhe dobësimin e shtresës së mesme, duke rritur pabarazinë dhe padrejtesitë në kurriz të shtresave më të dobëta të shoqërisë,
Të vetëdijshëm se cënimi i vazhdueshëm i interesit publik në arsim do vazhdojë të prodhojë pabarazi, papunësi, injorancë dhe korrupsion, duke penguar modernizmin e administratës publike dhe krijimin e një brezi të edukuar profesionistësh të pavarur,
Të revoltuar nga papunësia e qindra mijëra të rinjve, të cilët nuk arrijnë të gjejnë një punë të merituar në kushtet kur administrata shqiptare mbetet pronë dhe parcelë e partive të vjetra dhe jo e shoqërisë,
Të kërcënuar nga mungesa e zbatimit të standarteve demokratike si dhe financimet e dyshimta të partive të vjetra, të cilat janë kthyer në rrezik për pluralizimin, kushtetueshmërinë dhe zgjedhjet e lira në vend,
Të neveritur nga lidhjet e krimit me politikën si dhe nga tendenca gjithnjë e më e dukshme e partive të vjetra për të rekrutuar në administratë e sjellë në parlament individë me precedentë penalë në këmbim të votave,
Të bindur se klasa politike e vjetër do të vazhdojë të prodhojë kriza në dëm të shoqërisë, ngurtësim te demokracisë, pengesë të drejtësisë dhe zvarritje të reformave ekonomike,
Të përcaktuar për të bërë çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes së vendit, duke përshpejtuar procesin e integrimit europian përmes reformave serioze, të shpejta dhe moderne,
Të vendosur për të bërë çdo sakrificë në mënyrë që Republika e Shqipërisë t’i garantojë të gjithë qytetarëve të saj pa dallim Liri, Drejtësi, Barazi, Dinjitet dhe Solidaritet,
Kemi vendosur te themelojme Listën e Barabartë.