24/03/2020
5 viktima nga Covid-19, numri i të prekurve shkon 123 .
Infektohet kreu i Urgjencës. Zgjerohet harta në Has, Lezhë dhe Berat
Humb jetën një tjetër person i infektuar nga Covid-19, duke e çuar në 5 numrin e viktimave nga ky virus. 49-vjeçari nga Tirana ishte prej 2 javësh në terapi intensive. Gjatë 24 orëve të fundit është zgjeruar harta e qyteteve ku janë evidentuar raste pozitive me Covid-19, duke e çuar në 123 numrin e të infektuarve në vendin tonë.
Mes 19 të prekurve të rinj është edhe Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, gjendja e të cilit është e mirë. Ai është izoluar në banesë për 14 ditë. Përveç Tiranës, problem mbeten edhe qytetet e Fierit dhe Korçës.
Dy pacientë vijojnë të qëndrojnë në terapi intensive, në gjendje të rëndë. Por numrin vijon të shtohet, mesditën e së martës kjo autoabulancë solli një tjetër person të infektuar në pavionin e Infektivit.
Deri tani 10 persona rezultojnë të shëruar nga Covid-19, por vijojnë të jenë të karantinuar në banesë. Në karantinë janë futur edhe 53 punonjësit e Kadastrës së Korçës, pasi një prej të prekurve në këtë qytet punonte në këtë institucion.