12/01/2023
Kurti, Gërvalla e Osmani bëhen ‘mburojë’ e ambasadorit që mori një milion e gjysmë nga “GEN-i” serb
Kanë kaluar pothuajse nëntë muaj që kur publikut iu servua një skandal financiar në Slloveni që përfshinte ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Që nga ajo kohë e gjer më tani, diplomatit kosovar iu bë një mbrojtje e pashoq nga krerët e institucioneve në Prishtinën zyrtare, ndonëse vazhdimisht kërkohej shkarkimi apo dorëheqja e tij. Mos-distancimi dhe mbështetja ndaj Berishajt shpërfaq lidhjen e fuqishme të liderëve të shtetit me profesorin nga Mali i Zi.
Më 21 prill 2022, mediumi slloven “Planet TV” kishte tronditur opinionin me publikimin e një afere financiare të kryetarit të partisë Lëvizja për Liri, Robert Golob, që e pati titulluar si skandal të madh financiar.
Sipas të njëjtit medium, ai është nën hetim financiar ndërkombëtar për shkak të dërgesave nga dega serbe e GEN-I (furnizuesi energjetik slloven), të cilat i kanë shkuar kompanisë private “MB Consulting” në Mal të Zi, shkruan Paparaci.
Kompania MB Consulting e Berishajt thuhej se ka marrë 600 mijë euro, të cilat janë tërhequr vazhdimisht në para të gatshme.
Berishaj supozohej t’ia kthejë këto para Golobit, dhe ky i fundit duhet t’i investojë këto para në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
Berishaj mohon akuzat, faktet flasin ndryshe
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kishte mohuar akuzat për përfshirje në skandalin financiar që u zbulua në Slloveni.
Atje mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para ‘cash” rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi te politikani slloven.
Mes tjerash, Paparaci ka zbuluar të mërkurën se Berishaj, ka pranuar mijëra euro prej një kompanie energjetike serbe, përveç GEN-it nga Beogradi.
Paratë janë tërhequr nga vetë ambasadori Berishaj përmes kompanisë “MB Consulting” më 2016. Janë plotë 39 mijë e 600 euro, raporton Paparaci.
Paparaci ka siguruar komplet transaksionet e ndërmarrjes së Berishajt përgjatë viteve të fundit.
Diplomati kosovar ka pranuar mbi 1 milion e gjysmë euro në llogari bankare. I ka tërhequr ato e arsyetimin “për nevoja të biznesit”.
Në mesin e kësaj shume goxha të madhe, vërehen edhe 39 mijë e 600 euro të thata që Berishaj i ka pranuar nga një kompani serbe. Bëhet fjalë për kompaninë “Energize LLC”, si pjesë e “Energize Group”.
Selia e saj gjendet në Beograd. Sipas përshkrimit të ueb-faqes së thuhet se ky biznes ofron projektimin dhe ndërtimin e energjisë diellore.
Paratë në xhirollogarinë e Berishajt janë dorëzuar më 16 qershor, 2016 nga Vladimir Popovic, i cili figuron si drejtor menaxhues i kësaj ndërmarrjeje.
Ndër të tjera, Berisha po hetohet në Kosovë për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë.
Pavarësisht kësaj, ai vazhdon të jetë i paprekshëm dhe në të njëjtën kohë po e gëzon mbrojtjen e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.
Kurse, rreth 900 mijë euro që kompania e tij “MB Consulting” i kishte shënuar si të hyra nga “GEN doo” në Beograd, Martin Berishaj i kishte tërhequr personalisht përmes xhirollogarisë së tij bankare mes viteve 2016-2021.
Mbrojtja e pashembullt e krerëve të shtetit ndaj ‘El Profesorit’ Berishaj
Një ditë pasi u publikua skandali financiar në prillin e kaluar, Zra e presidentes së Kosovës kishte njoftuar se shefja e shtetit, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga ambasadori Martin Berishaj një raport me shkrim për artikullin e publikuar në një media në Slloveni.
I ishte kërkuar që ai të vijë në Kosovë për të sqaruar situatën.
“Njoftojmë qytetarët se presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën”, thuhej në kumtesën e Presidencës, përcjell Paparaci.
Presidentja Vjosa Osmani kishte deklaruar se i beson deklaratave të ambasadorit të Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, i cili i ka mohuar raportimet e mediave sllovene se ai është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.
Sipas Osmanit, nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë “por thjesht është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore”.
“Sa i përket dekretimit natyrisht që e kam dekretuar edhe shtetësinë sepse janë kompetenca të presidentes pra kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, pati deklaruar ajo më 22 prill të 2022’s.
Skandalin financiar që implikonte mbështetësin e Lëvizjes Vetëvendosje e kishte justifikuar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Kreu i ekzekutivit pati deklaruar qershorin e 2022’s se nuk ka kurrfarë korrupsioni.
“Nuk ka kurrfarë korrupsioni, përkundrazi do të ketë kallëzim penal e sqarim në gjykatë për shpifje të tilla. Ajo ishte pjesë e një fushate në Slloveni, ku kryeministri i hupi zgjedhjet dhe ajo e përfshiu ambasadorin e që nuk ka të bëjë asgjë as me të, as me Kosovën”, ka thënë Kurti.
Më pak kishte folur para dy muajsh shefi i qeverisë po për të njëjtën çështje.
“Zëdhënësi ynë e ka dhënë qëndrimin dhe po ashtu ambasadori Berishaj e ka bërë një deklaratë me të cilën tregon që ato janë të pavërteta dhe se do ta padisë mediumin i cili ka shpifur asisoj”, ka deklaruar shkurtimisht Kurti, në prill.
Megjithatë, atëkohë kishte refuzuar të flasë nëse do të duhet që Berisha të shkarkohet nga pozita e ambasadorit.
Në të njëjtën linjë ishte edhe kryediplomatja kosovar, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ministrja e Jashtme ka deklaruar më 13 maj të vitit që lamë pas se ambasadori Berishaj ka dërguar në ministri një deklaratë disa faqeshe në lidhje me këtë raportimin e mediave për aferën Berishaj.
Ajo ishte shprehur se tashmë ka biseduar me autoritetet e vendit ku është bërë raportimi dhe ende nuk ka asnjë indikacion që të shkarkohet Berishaj.
“E kam një deklaratë të ambasadorit Berishaj, disa faqe. Ambasadori ka qenë në ministri dhe kemi biseduar. Kam biseduar me autoritetet e disa shteteve dhe deri më tash nuk ka asnjë indikacion për diçka të vërtetë në artikullin e publikuar për të. Ne më shumë e shohim si kampanjë të një mediumi. Ambasadori nuk mund të tërhiqet apo shkarkohet pa pasur ndonjë të vërtetë. Përkundrazi disa media atje janë duke e përgënjeshtruar atë medium. Ambasadori Berishaj e gëzon besimin tonë dhe do të përfaqësojë atje”, deklaronte Gërvalla.
Lidhjet e zyrtarëve të lartë të Kosovës me mafinë energjetike të Ballkanit
Një hulumtim i gjerë i Paparacit, zbulon se i mbrojturi i kryeministrit Kurti, është i lidhur fort me një kompani të energjisë me seli në Beograd.
Krejt pagesat i ka marrë nga Beogradi, kryeqyteti i Serbisë, shtet ky që me çdo kusht synon zhbërjen e Kosovës.
Dyshimin edhe më të fortë e bën edhe implikimi i drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi në udhëtime me tregtarë të energjisë dhe takimet me Berishajn në Zagreb.
Berisha po hetohet në Kosovë për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë. Megjithëkëtë, vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në Kroaci nën mbrojtjen e kryeministrit dhe presidentes.
Ai, përmes kompanisë “MB Consulting”, ka zhvilluar transaksione të dyshimta milionëshe në Kosovë dhe Mal të Zi.
Kompania “MB Consulting” në Kosovë dhe filiali i saj “MB Consulting Doo” në Mal të Zi, kanë zhvilluar transaksione në vlera disa milionëshe në shtatë vitet e fundit.
Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.
Bazuar në gjetjet e Paparacit, kompania “MB Consulting” i është shmangur obligimeve tatimore nga viti 2017 deri në vitin 2022 dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 73 mijë eurove.
Dyshimet se Vetëvendosja e Kurtit u financua me para të pista
Mediumi slloven Prava ka zbuluar më 6 janar të dhëna të reja ku pretendohet se rreth 100 milionë euro u shpëlanë nga kompania GEN I me ‘kontabilitet kreativ’ në mesin e tyre i përfshirë edhe diplomati kosovar, transmeton Gazeta Metro.
Media sllovene Prava ka publikuar të dhëna të fundit për transaksionet të dyshimta dhe aty zbulohet se bohet fjalë për qindra miliona euro nga GENI në kompani të ndryshme.
Prava shkruan se kanë siguruar qasje në atë që ata i referohen si “kontabiliteti kreativ akrobatik të diskutueshëm të sh*tësit më të madh të energjisë elektrike GEN-I”.
“Ne pa dashje u vumë në dijeni për transaksionet e GEN-I në filialet e huaja në Sarajevë (BiH), Tiranë (Shqipëri) dhe Beograd (Serbi)”, shkruan mediumi slloven.
“Kemi vënë re se në vitet 2015-2021 kanë transferuar gati 100 milionë euro në tre filialet e tyre të huaja. Nga këto, 60 milionë euro janë transferuar në Bosnje dhe Hercegovinë për të paguar për zbatimin e operacionit bankar financimi i faturave. Në Shqipëri, me shumë gjasa e kanë mbuluar humbjen e filialit shqiptar me një operacion të dyfishtë financiar të kryer në vitin 2021”.
“Për këtë kanë shpenzuar 14 milionë euro! Më në fund, vijmë në GEN-I Beograd”.
Në vitin 2019 dhe 2020 GEN-I ka kryer disa transferta në vlerë prej disa milionë eurosh për qëllime të funksionimit të bankës së financimit të faturave në degën e saj në Beograd, thuhet në këtë shkrim të mediumit slloven.
Mediumi bën ndërlidhjen mes dërgesave të parave nga GEN-I në Slloveni për tek filialet në Beograd dhe më pas pagesat nga Beogardi direkt për në kompaninë e Martin Berishajt MB Consulting.
“Është veçanërisht e rëndësishme të shikoni datat. Siç e keni vënë re në të dhënat e mësipërme, të gjitha transaksionet nga GEN-I slloven në filialin serb në Beograd kanë ardhur në vitin 2019. Nga janari 2019 deri në shtator 2020, Martin Berishaj ka bërë disa tërheqje cash në shumën prej 600 mijë eurosh nga llogaria e kompania e tij malazeze MB Consulting”.
“Gjatë kësaj periudhe, kompania sllovene GEN-I ka transferuar 4 milionë e 183 mijë e 834 euro përmes transaksioneve me derivateve financiarë nën etiketën financim ‘Fatura’ nga janari deri në dhjetor 2019. Ka shumë të ngjarë që një pjesë e parave të tërhequra të Martin Berishaj të ketë ardhur përmes remitancave sllovene gjatë kësaj periudhe”.
Mediumi Prava ka bërë edhe një ndërlidhje mes transaksioneve të GEN-I dhe fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje, por vetëm në rrafsh supozimi dhe pa ndonjë informacion konkret.
“Ka pasur disa sugjerime dhe informacione se paratë janë transferuar nga njëra nga filialet e GEN-I jashtë vendit për fushatën zgjedhore të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, dhe se një pjesë e parave i ka shkuar një organizatë jo qeveritare”, thuhet në tekstin e Prava.
Martin Berishaj është emëruar ambasador i Kosovës në Kroaci në vitin 2021.