17/11/2023
Përfundon në Komerciale edhe një tender milionësh i Komunës së Prishtinës
Edhe një tender i Komunës së Prishtinës mund të pezullohet nga Gjykata Komerciale.
Një kompani private ka dorëzuar sot padi në Gjykatën Komerciale kundër procedurave të tenderit për vendosjen e kamerave në kryeqytet, të vlefshëm rreth 1.3 milion euro.
Këtë javë, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i ka dhënë leje Komunës së Prishtinës që të vazhdojë me procedurat e tenderit për vendosjen e kamerave në kryeqytet, ndaj të cilit janë ngritur dyshime për kurdisje, raporton Paparaci.
Ndaj këtij vendimi të OSHP-së, kompania ‘Professional Alarm L.L.C.’ ka ushtruar kërkesë-padi në Komerciale për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.
Të paditura janë OSHP-ja dhe Komuna e Prishtinës.
“Në vendimet e të paditurave ka dyshim të bazuar që substimohen në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, neni 414 ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në padi.
Kompania, e cila konsideron se kërkesat e saj për rishqyrtim të ofertave në këtë procedurë tenderuese janë hedhur poshtë në kundërshtim me ligjin, ka kërkuar shtyrje të ekzekutimit të vendimit dhe anulimin e plotë të tij.
Paparaci, raportoi javën e kaluar për vendimin kundërthënës të OSHP-së lidhur me tenderin për vendosjen e kamerave në Prishtinë.
Duke shpërfillur raportin e ekspertizës, i cili rekomandonte kthimin e lëndës në rishqyrtim dhe i jepte të drejtë ankesës së kompanisë, paneli i OShP-së ka vendosur të hënën që ta shpall si të jashtë afatshme ankesën e kompanisë ‘Professional Alarm’ L.L.C..
“Hedhet si jashtëafatshme, ankesa e OE ‘Professional Alarm’ L.L.C me nr. të protokollit 2023/0732, e datës 26/09/2023, ankesë kjo e parashtruar për aktivitetin e prokurimit “Vendosja e kamerave ne Kryeqytet”, me numër të prokurimit 616-23-8456-2-1-1, inicuar nga autoriteti kontraktues (AK) – Komuna e Prishtinës”, thuhet në vendimin e panelit të OSHP-së, me kryetar Vedat Poterqoin.
“I lejohet, autoritetit kontraktues – Komuna e Prishtinës që të vazhdojë më tutje me aktivitetin e prokurimit ‘Vendosja e kamerave ne Kryeqytet’”, thuhet në vendim.
Në arsyetimin e vendimit, OSHP-ja konstaton se Komuna e Prishtinës ka pasur të drejtë t’i refuzojë si të jashtë afatshme kërkesat për rishqyrtim të kompanive ankuese.
Në fundit të shtatorit të këtij viti, Komuna e Prishtinës e pezulloi këtë tender për shkak të kontestimit të lëndës në OSHP. Aty u ngritën dyshime se tenderi i parashikuar në vlerë prej 1,350,000.00 euro është i kurdisur.