22/02/2025
Reportazh nga vizita e delegacionit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Sarajevë
Pritja nga reisul ulema, dr. Husein Kavazoviq dhe drejtuesit e institucioneve të BI-së në Bosnje dhe Hercegovinë
Një delegacion i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, i përbërë nga kryeimami Vedat ef. Sahiti, zv.sekretari, Rexhep Luma, drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra dhe përgjegjësi për botime, Nuhi Simnica, nga 14 deri më 17 shkurt 2025, qëndruan për vizitë zyrtare në RIJASET-in e Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës në Sarajevë, ku zhvilluan një sërë takimesh me drejtuesit e RIJASET-it dhe udhëheqësit dhe drejtuesit e institucioneve që veprojnë në kuadër të BI-së së Bosnje dhe Hercegovinës.
Te reisul ulema, dr. Husein Kavazoviq
Më 14 shkurt 2025, delegacioni i Kryesisë së BI-së së Kosovës, është pritur në takim nga reisul ulemaja i Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës, Husein ef. Kavazoviq dhe bashkëpunëtorë e tij. Gjatë këtij takimi u diskutua për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës dhe asaj të Kosovës.
Reisul ulemaja Kavazoviq, u shpreh i kënaqur me bashkëpunimin e dy bashkësive islame, si dhe shprehu gatishmërinë dhe përkushtimin e tij që bashkëpunimi në të ardhmen të njohë përparim dhe rritje në fushat e arsimit, jetës fetare, asaj kulturore, si dhe të veprimtarisë botuese. Ai tha se duhet kushtuar rëndësi të veçantë veprimit të përbashkët për ruajtjen e vlerave fetare dhe kulturore të të dy popujve dhe të dyja komuniteteve fetare.
Përfaqësuesit e Kryesisë së BI-së, pasi i përcollën përshëndetjet dhe selamet e Myftiut Naim ef. Tërnava, e njohën reisul uleman me arritjet në mirëmbajtjen e jetës fetare, kulturore dhe arsimore në Kosovë. Gjithashtu, delegacioni nga Kosova shprehu gatishmërinë e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës që të bashkëpunojnë në ndriçimin e së kaluarës së përbashkët, si dhe në përballimin e sfidave bashkëkohore.
Gjatë bisedës, një vëmendje të veçantë reisul ulemaja i kushtoi organizimit të përbashkët të Ekspozitës dhe ligjëratës “Bota kujton Srebrenicën”, kushtuar gjenocidit në Srebrenicë, e cila u mbajt vitin e kaluar në Prishtinë. Reisul ulema Kavazoviq, me këtë rast shprehu mirënjohjen e tij të thellë për angazhimin e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Në fund të takimit, reisul ulemaja, përcolli përshëndetjet për Myftiun e nderuar të Kosovës, duke shprehur dëshirën dhe përkushtimin për thellim të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore dhe institucioneve ndërmjet dy komuniteteve.
..në bibliotekën “Gazi Husreve Beg”
Po të premten, pas namazit të xhumasë, delegacioni i Bashkësisë Islame të Kosovës, ishte për vizitë në bibliotekën e Gazi Husreve Beut, në të cilën u mirëpritën nga drejtori Xhenan Handzhiq. Pas vizitës së muzeut të bibliotekës dhe disa departamenteve të saj, drejtori Handzhiq i njohu delegacionin e Bashkësisë Islame të Kosovës me trashëgiminë që ruan biblioteka, fondet e pasura me dorëshkrime, dokumentet arkivore, fotografitë me vlerat e posaçme, si dhe me librat e fushave dhe disiplinave të ndryshme, e që të gjitha këto së bashku përbëjnë një trashëgimi të shkruar të Bosnje dhe Hercegovinës dhe jo vetëm.
.. në Qendrën e Botimeve “El Kalem”,
Pas bibliotekës, delegacioni i Kryesisë së BI-së së Kosovës, vizitoi Qendrën e Botimeve “El Kalem”, e cila vepron në kuadër të Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës. Aty u pritën ngrohtësisht nga drejtori Mesud Smajiqi, i cili shoqërohej nga kryeredaktorja, redaktorët dhe bashkautorët e tjerë të Qendrës “El Kalem”. Drejtori Smajiqi dha një pasqyrë të shkurtër të veprimtarisë botuese ndër vite, si dhe i njohu delegacionin me planet dhe objektivat për të ardhmen. Gjatë këtij takimi, të dyja delegacionet ranë dakord për një bashkëpunim të ndërsjellë dhe u pajtuan që të realizojnë projekte botuese të përbashkëta.
Në qytetin e bukur të Travnikut
Të shtunën, më 15 shkurt 2025, delegacioni nga Bashkësisë Islame e Kosovës, qëndroi për vizitë në qytetin e Travnikut, ku vizitoi Medresenë “Elçi Ibrahim Pasha”. Aty u pritën nga ndihmësdrejtorët Xhevad Shoshiq dhe Safet Durguti. Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet medreseve, të Bosnjës dhe asaj të Kosovës. Delegacioni nga Kosova, që shoqëroheshin nga nikoqirët, znj. Azra Eminoviq dhe z. Muhamed Jugo, vizituan edhe Xhaminë e Larme, një vepër kjo monumentale me vlera arkitektonike, e cila njëkohësisht është edhe ikonë e qytetit.
Vizitë në Qendrën e Studentëve
Të hënën, më 17 shkurt 2025, delegacioni nga Kosova, vizitoi Qendrën e Studentëve të Bashkësisë Islame të Bosnjës, në të cilën u pritën nga drejtori, dr. Ferid Dautoviq dhe nga hfz. Shpendi Fidani, bashkëpunëtor profesional.
Ata e njohën delegacionin me historikun, organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Studentëve. Po ashtu delegacioni pa nga afër ambientet, kushtet dhe aktivitetet që realizohen në këtë qendër.
...vizitë në Fakultetin e Shkencave Islame
Po atë ditë, delegacioni vizitoi edhe Fakultetin e Shkencave Islame, në të cilin u mirëpritën nga dekani, prof. Ph.D. Mustafa Hasani, prodekanët prof. Ph.D. Ahmet Alibashiqi dhe prof. Ph.D. hfz. Aid Smajiqi.
Gjatë këtij takimi u shkëmbyen përvoja rreth programeve të studimit, me theks të veçantë në programet e studimit master dhe doktoratë në gjuhën angleze. Gjithashtu u shqyrtuan edhe mundësitë e vizitave të ndërsjella të stafit mësimdhënës dhe studentëve në të ardhmen. Të dyja palët shprehën gatishmërinë për zbatimin e këtyre nismave. Krahas temave akademike, u diskutua edhe për industrinë botuese dhe perspektivat e saj në Ballkan.
.. në Qendrën Mediale
Gjatë ditës së hënë, delegacioni i BI-së së Kosovës, vizitoi Qendrën Mediale të Bashkësisë Islame të Bosnje dhe Hercegovinës, në të cilën u pritën nga drejtori, dr. Muamer Tinjaku, i cili shoqërohej nga drejtori i programit Nadim Hrbat. Ata u pajtuan për shkëmbimin e përmbajtjeve mediale ndërmjet dy institucioneve.
Delegacioni nga Kosova vizitoi edhe ambientet e redaksive që veprojnë në kuadër të Qendrës Mediale, ku edhe vepronin pesë platforma mediale: BIR TV, Radio BIR, Agjencia e lajmeve “Mina”, Portalin “Preporodinfo” dhe gazeta islame informative “Preporod”.
Aty u bisedua edhe për mundësitë e forcimit të bashkëpunimit, ku së shpejti pritet edhe nënshkrimi i protokollit për shkëmbimin e materialeve mediatike. Së shpejti do ta zyrtarizojmë këtë bashkëpunim, duke nënshkruar një protokoll për shkëmbimin e përmbajtjeve mediatike.
Në aktivitetin e qendrës kulturore shqiptare me rastin e 17 shkurtit ditës së mëvetësisë së Kosovës
Gjatë qëndrimit në Sarajevë, delegacioni nga Kosova, takoi edhe profesorin e njohur boshnjak, dr. Enes Kariq, si dhe ish-zyrtarin e lartë të RIJASET-it, Muharrem Omerdiaqin. Po ashtu, delegacioni ka takuar edhe disa personalitete të shquara shqiptare, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Sarajevë, si dhe mori pjesë në pritjen që organizoi Qendra Kulturore Shqiptare në BeH, në krye me Mitat Fidanin, me rastin e 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.