Zëri jonë.USA

Zëri jonë.USA Nje faqe informuese, lajme në çdo kohë,e pavarur, ...

Gjykata e Posaçme e ka quajtur të paprecedentë sjelljen e Policisë së Shtetit, në rastin e protestës së organizuar nga b...
02/14/2025

Gjykata e Posaçme e ka quajtur të paprecedentë sjelljen e Policisë së Shtetit, në rastin e protestës së organizuar nga banda e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, para godinës së saj, teksa brenda zhvillohej seanca për vlerësimin e masave të sigurisë.

Në një njoftim të fundit për mediat, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë kërkuar hetime të menjëhershme për mosveprimin e Policisë së Shtetit dhe mungesën e bashkëpunimit të saj me Gardën e Republikës, gjatë protestës që u zhvillua më 12 shkurt 2025 para Gjykatave të Posaçme, kur mbështetës të kryebashkiakut Erion Veliaj u mblodhën në mbështetje të tij.

Sipas shkresës së dërguar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, situata e krijuar gjatë protestës ka vënë në rrezik sigurinë e gjyqtarëve dhe personelit të administratës, duke përfshirë pengimin e lëvizjes së tyre dhe sulme ndaj automjeteve shoqëruese. GJKKO e ka cilësuar këtë si një shkelje të rëndë të ligjit dhe një tentativë për të ndikuar në punën e sistemit të drejtësisë.

NJOFTIMI ZYRTAR

Të nderuar gazetarë dhe përfaqësues të mediave,

Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj që prej datës 12.02.2024, datë në të cilën u zhvillua seanca për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj…, për t’ju vënë në dijeni nëse nga ana e Gjykatës është kërkuar prezencë e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës për marrjen e masave sa i takon sigurisë dhe rendit publik, gjatë kohës që zhvillohej seanca gjyqësore e sipërcituar, duke ju kërkuar ndjesë që për shkak të ngarkesës nuk kemi arritur t’ju përgjigjemi në kohë, ju bëjmë me dije si më poshtë:

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me shkresën Nr. 589 Prot., datë 13.02.2025, me lëndë “Mbi konstatimin e mos reagimit të Policisë së Shtetit, për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë si dhe rrezikimin e jetës dhe shëndetit të gjyqtarëve të Gjykatave të Posaçme dhe personelit administrativ”, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe për dijeni Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Nëpërmjet kësaj shkrese, institucionet e sipërcituara janë vënë në dijeni se:

Që përpara fillimit të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Elman Abule, Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkelqim Fusha, me qëllim verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit, në kuadër të procedimit penal nr. 27, të vitit 2024, regjistruar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ambientet e jashtme të Gjykatës së Posaçme u grumbulluan turma protestuesish, të cilit bllokuan tërësisht hyrjen në oborrin e përbashkët të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK.

Punonjësit e Gardës së Republikës kanë informuar Gjykatën se, në vazhdimësi është kërkuar prej tyre ndihmë nga Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin jashtë të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK, duke vendosur kordonin e sigurisë me punonjës policie me uniformë, sikurse është vepruar në raste të tjera të ngjashme në protestat e datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025.

Gjithashtu, informacioni i cili i është përcjellë institucionalisht Policisë së Shtetit nga Garda e Republikës ku i është bërë e ditur rreth grumbullimit të një numri të konsiderueshëm protestuesish përballë Gjykatave të Posaçme është mbuluar gjithashtu pothuajse nga të gjitha mediat, edhe në lidhje direkte.

Godina e Gjykatës së Posaçme ruhet dhe mbrohet nga Garda e Republikës së Shqipërisë sipas parashikimeve të ligjit nr. 33/2021 “Për gardën e Republikës së Shqipërisë”, nenit 12, pika 2, gërma “d” e tij, si dhe VKM-së Nr. 507, datë 27.07.2022 “Për një shtesë në vendimin nr. 597, datë 13.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e personaliteteve dhe objekteve të tjera, që ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë”, pika 1 e tij, ku parashikohet shprehimisht se: “Në shkronjën “b”, të pikës 2, të vendimit nr. 597, datë 13.10.2021, të Këshillit të Ministrave, pas nëndarjes “ii” shtohen nëndarjet “iii” dhe “iv”, me këtë përmbajtje: “iii. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”; iv. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Në nenin 7, pika 1, gërma “l” e ligjit nr. 33/2021 “Për gardën e Republikës së Shqipërisë”, parashikohet shprehimisht se “1. Garda e Republikës së Shqipërisë ka përgjegjësi dhe kryen këto detyra kryesore: …l) bashkëpunon e bashkëvepron me Policinë e Shtetit dhe shërbimet inteligjente për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve dhe të objekteve në ruajtje, sipas rregullave të përcaktuara në marrëveshje të përbashkët ndërmjet drejtuesve të strukturave”.

Pra, siç parashikohet në dispozitat ligjore dhe VKM-në, të cituara më sipër, Garda e Republikës ruan dhe mbron vetëm perimetrin e brendshëm të Gjykatave të Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe bashkëpunon e bashkëvepron me Policinë e Shtetit për ruajtjen e mbrojtjen e personaliteteve dhe të objekteve në ruajtje.

Përveç sa më sipër, institucioneve të sipërcituara, ju është bërë me dije një tjetër fakt i rëndësishëm mbi situatën e datës 12.02.2025, që ka qenë vështirësia e lëvizjes së gjyqtarëve qoftë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, e cila u rëndua gjatë mbrëmjes, ku protestuesit jo vetëm kanë penguar gjyqtarët të dalin nga ambientet rrethuese të gjykatës, por edhe kur kanë tentuar të dalin, automjetet shoqëruese të tyre janë qëlluar nga ana e protestuesve, duke sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët.

Kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm iu cenuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre.

Pavarësisht fakteve të mësipërme, si dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore të parashikuara në ligjin “Për policinë e shtetit”, nga ana e Policisë së Shtetit, e cila ka si mision parësor ruajtjen e rendit e të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka konsideruar këtë sjellje të paprecedent të Policisë së Shtetit, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore përkundrejt institucioneve kushtetuese të sistemit të drejtësisë shqiptare, siç janë Gjykatat e Posaçme dhe SPAK, të cilave ju ofrohet mbrojtje e posaçme, jo vetëm nga ligjet dhe aktet nënligjore në fuqi, por dhe nga ligji nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Në përmbushje të parimeve themelore të shtetit të së drejtës dhe në përputhje me parimet kushtetuese të pavarësisë së pushtetit gjyqësor, organet e drejtësisë duhet të mbrohen në mënyrë absolute nga çdo lloj sulmi apo ndikimi i jashtëm.

Respektimi i pavarësisë së sistemit të drejtësisë është thelbësor për funksionimin e duhur të demokracisë dhe për garantimin e një procesi të drejtë ligjor për të gjithë qytetarët. Çdo tentativë për të ndikuar apo cenuar punën e organeve të drejtësisë bie ndesh me frymën dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me detyrimet ndërkombëtare që vendi ynë ka marrë përsipër, në kuadër të sundimit të ligjit.

Nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrativ.

Nëpërmjet shkresës më sipër, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë.

Po ashtu, kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion e gjithë procedura ligjore e ndjekur dhe planin e masave që janë marrë në rastet e ngjashme sikurse gjatë protestave të datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025, si dhe një shpjegim i argumentuar dhe me prova pse nuk është ndjekur e njëjta praktike edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025.

Aktualisht, gjykata është në pritje të kthimit të përgjigjes nga ana e autoriteteve kompetente, me qëllim ndjekjen e rrugëve të tjera institucionale sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore.

Prokuroria e Posaçme kërkoi shpalljen fajtor të deputetit demokrat Gazment Bardhi për "shpifje" ndaj Edmond Sulës, ish-d...
02/14/2025

Prokuroria e Posaçme kërkoi shpalljen fajtor të deputetit demokrat Gazment Bardhi për "shpifje" ndaj Edmond Sulës, ish-drejtuesit të Policisë së Shkodrës.

Por gjyqtarja Flojera Davidhi rrëzoi kërkesën e SPAK dhe e shpalli të pafajshëm ligjvënësin demokrat.

Në seancën e sotme, pas riçeljes së pjesshme të shqyrtimit gjyqësor, gjykata ka administruar përgjigjen e SPAK për kodet SKY ECC të pohuara nga deputeti Bardhi.

SPAK ka konfirmuar se kodet përkatëse i përkasin dosjes së një çështjeje nën hetim, por për shkak të sekretit hetimor, nuk i ka vënë në dispozicion përmbajtjen e bisedave të kërkuara.

Nga ana tjetër, avokatët e Bardhit i thanë gjykatës se klienti i tyre është i pafajshëm, me argumentin se deklarimet në parlament janë bërë në cilësinë e deputetit dhe në interes të opinionit publik.

Sulaj paditi Bardhin për "shpifje" e "fyerje" për shkak të deklaratave të këtij të fundit në një seancë plenare të Kuvendit në shtator 2024, ku deklaroi se Sulaj ishte emëruar nga bandat në krye të Policisë së Shkodrës.

Chris LaCivita, strategu i rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, u shpreh i bindur se lideri i opozitës shqipt...
02/14/2025

Chris LaCivita, strategu i rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, u shpreh i bindur se lideri i opozitës shqiptare do të fitojë në zgjedhjet e 11 majit pavarësisht taktikave jo demokratike të Edi Ramës. Njeriu që ka marrë përsipër fushatën e opozitës, në një intervistë ekskluzive për emisionin ‘Çim Peka Live’, e cilësoi Sali Berishën mik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe theksoi se gjërat do të ndryshojnë për konservatorët pas fitores së Presidentit Trump. Në një mesazh të drejtpërdrejtë për Edi Ramën, LaCivita theksoi se nuk mund të jesh në të njëjtën kohë edhe mik i Soros edhe mik i Shteteve të Bashkuara.

Syri Tv
Chris LaCivita, strategu i rikthimit të Donald Trump në shtëpinë e bardhë i cili ka marrë përsipër fushatën e Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare për zgjedhjet e 11 majit, ishte i ftuar në një interviste ekskluzive për emisionin ‘Çim Peka Live’, në Syri TV. Teksa e cilësoi Sali Berishën mik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zoti LaCivita u shpreh i bindur se lideri i opozitës shqiptare do të fitojë në zgjedhjet e 11 majit pavarësisht taktikave jo demokratike të Kryeministrit Edi Rama.

Zoti LaCivita i cilësoi si befasuese ngjashmëritë mes asaj që ndodhi me Presidentin Trump në Shtetet e Bashkuara dhe asaj që po ndodh në Shqipëri me liderin e opozitës Sali Berisha, sa i përket përndjekjes politike nga i njëjti grup personash dhe dha mesazhin e qartë se me fitoren e Donald Trump gjërat do të ndryshojë pasi tashmë ka një sherif të ri në qytet.

Por si e sheh Chris LacCivita sfidën e përballjes së tij me ish-komunistët shqiptarë.

LaCivita e pyet edhe për skandalin e kqpërdorimit të fondeve të USAID, ku përfitues kryesorë në Shqipëri, vec të tjerësh, ishin gratë e Kryeministrit Edi Rama.

Në fund të intervistës, Chris LaCivita kishte një mesazh të qartë për shefin e qeverisë Edi Rama.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka komentuar në emisionin “Opinion”, gjestin e kryeministrit Edi Rama, i cili duke bashkëbis...
02/14/2025

Kryetari i PD, Sali Berisha ka komentuar në emisionin “Opinion”, gjestin e kryeministrit Edi Rama, i cili duke bashkëbiseduar me qytetarët në rrjetet sociale pati probleme teknike dhe më pas goditi tavolinën dhe përdori një fjalor të papërshtatshëm.

Berisha tha se ky akt, tregon se kryeministrit Rama i ka ardhur fundi. Madje sipas kreut të demokratëve, atë ditë që i ndodhi incidenti, Rama ka thyer edhe karrige. E sipas tij, dëshmitar ka qenë edhe një gazetar.

“Ai është i shkallmuar tani. Erdhi në fundin e tij ai. E mori fundin. Ai pardje ka qenë gjithë ditën duke thyer karrige, sille këtu Baton Haxhiun të flasë, sille, se ka qenë me të aty. Vazhdoi ajo historia e tavolinave”.

I pyetur se kush fshihet pas identitetit Nesti Angoni që ka bërë denoncimin ndaj Erion Veliajt, Sali Berisha u shpreh: “Nesti Angoni është Lubia, është me Bistrin që ka dhënë të dhëna. Bistri regjistronte çdo njeri pa kaluar në prokurori, në gjykata”.

Para ca ditësh mësuam që kryeministri ynë shijon verë 33 mijë euro një shishe. Dhe e pi me miq e shokë bash në zyrë, në ...
02/14/2025

Para ca ditësh mësuam që kryeministri ynë shijon verë 33 mijë euro një shishe. Dhe e pi me miq e shokë bash në zyrë, në orarin e punës. Me paratë e buxhetit, tha ndihmësi i tij në një intervistë. Dje, pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, u mësua që zonja e tij ka blerë online plot e plot veshje. Një mal me rroba. Dhe një fustan i saj rezultoi 35 mijë euro. Pra, ia p***a kaluar kryeministrit në çmim. Kushdo që endet mes këtyre shifrave, mendon se bëhet fjalë për Luksemburgun a Monakon. Jo, jo. Këto ndodhin në vendin më të varfër të Evropës. Ku gjysma e popullsisë nuk siguron dot asnjë javë pushime në vit, ku gjysma e shtëpive janë pa ngrohje, ku gjysma e popullsisë ka emigruar në vendet fqinjë për mbijetesë. Dhe ku paga mesatare e një pensionisti është 130 euro. Pra, një shishe verë e Ramës mban brenda 230 pensionistë, dhe fustani i zonjës së kryebashkiakut, mbulon 270 pensionistë.

Tani jemi në fushatë. Partitë po na flasin për programet. Mes pikave emergjente është dhe rritja e pensioneve. Përveç Partisë Socialiste që nuk e ka fare në refene. Vetë kryetari Rama e tha që FMN na ka kërkuar të ulim pensionet, por ne i thamë jo. Pra, rritje mos prisni. Ulje, mbase, nëse i votoni.

Në këtë situatë, armata e pensionistëve mund ta nxjerrë në pension Ramën. Janë mbi 700 mijë. Vota e tyre cakton kush do të jetë nesër kryeministër i Shqipërisë. Ndaj bashkohuni dhe i thoni jo shpërdoruesit të parave publike. Ia zini në fyt atë verën dhe mos ia furnizoni me karburant avionin që ai fle dhe shëtit. Votoni atë parti që premton rritjen e pensioneve. Mos u nisni nga bindjet, shihni interesin tuaj. Jo veç PD, por edhe parti të tjera, e quajnë lëmoshë atë sasi lekësh që merrni. Ndaj hiqni dorë nga Rama, vini interesin tuaj mbi atë të verës e fustaneve të shtrenjta, të abuzimeve pa fund. Thirrja:

-Pensionistë të gjitha partive, bashkohuni, është rrugëzgjidhja. Tregoni që keni vlerë, që keni forcë, që nuk jeni në shërbim të Ramës. Se ai, deputetët, presidenti i kanë trefishuar rrogat e tyre. Kërkoni dyfishim edhe ju! Kërkoni dhe ndëshkoni mashtruesit që për 12 vite kaluan nga vjedhja në vjedhje dhe për të moshuarit nuk menduan kurrë. Boll ju gënjyen! Boll, u thoni.

-Pensionistë, bashkohuni!

Në këtë anomali që ka krijuar regjimi ,të parët që duhet të shpërthenin duhet të ishin intelektualët. Së  paku të flisni...
02/14/2025

Në këtë anomali që ka krijuar regjimi ,të parët që duhet të shpërthenin duhet të ishin intelektualët. Së paku të flisnin ,të shpreheshin, të shkruanin, të protestonin ose të bënin një gjest që të tërhiqnin vëmendjen e njerëzve për zgjuar revoltën kundër regjimit. Po ndodh nje fenomen i çuditshëm ku intelektualët nuk po shohin përtej pragut të shtëpisë së tyre. Rrinë dhe vështrojnë me një indiferencë përtuese, të kënaqur nga disa privilegje që iu ka krijuar pushteti me qëllim që të mos ua “dëgjoj zërin fare”.

Elita patriotike që solli krijimin e këtij shteti, ai brez i madh që na udhëhoqi drejt pavarësimit, më tepër se një elitë mendore, shkencore ideologjike e sistematike, ishte një klasë njerëzish, patriotë në shpirt e në veprime, që arritën ta përmbushin misionin që iu vuri përpara koha: Shpëtimin e Shqipërisë nga rreziku dhe ndërtimin e themeleve të zhvillimit të saj..

I njëjti shembull u përsërit me plejadën e madhe të viteve 30- të shek të kaluar kur njerëzit e ditur të Shqipërisë krijuan me mund të thellë dhe shqetësim brezin e artë të iluminimit të Shqipërisë i cili bëri të mundur krijimin e strukturës kulturore dhe diturore për botën shpirtërore të shqiptarit.

Por nuk duhet të harrojmë kurrë edhe kontributin e pa zëvendësueshëm të elitës bashkëkohore shqiptare për të mbrojtur vlerat e kërcënuara të identitetit shqiptar që nga Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani , Rexhep Qosja dhe të tjerë, të cilët megjithë trysninë shtypëse të diktaturës komuniste, sidomos në Shqipëri, mbetën në pararojë të ndryshimeve dhe mbrojtjes se lirisë dhe vlerave kombëtare.

Po sot në këto kohë dramatike ku janë intelektualët?!

Me keqardhje në këtë drejtim pohoj se është për të mbajtur një shirit të zi.

Dritëro Agolli vërtet që ishte një komunist i devotshëm dhe pavarësisht nga kompleksiteti i politizuar i profilit të tij ,duhet respektuar për zërin që i buçiti brenda vetes dhe u kërkoi socialistëve publikisht, se kishte ardhur koha të rinovoheshin në mënyrë që të përballonin sfidat e reja të mëdha të amnistisë social- politike që kërkonte e ardhmja e Shqipërisë mbas rënies së komunizmit.

Vallë sot gjindja e Shqipërisë, a ka ngjashmëri me ndonjë periudhe te vështirë të historisë së kombit shqiptarë?

Unë them se po, ka një ngjashmëri të rrallë me muzgun e Perandorisë Otomane, kur shqiptarët rrezikonin ta humbnin përfundimisht fatin e atdheut të tyre.

“Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?

Po sikur lisi i rrxuem përdhe” - buçiste zëri i Vaso Pashë Shkodranit në mënyrë që të zgjonte shqiptarët.

“Avash, avash ty !” - më thotë edhe në këtë rast njëri nga ata që jetojnë me marrëzitë e filozofisë globaliste dhe kullave të ndërtuar me para të pista. Sot kemi 10 milion turistë, kemi aeroportin më pararojë në Ballkanin perëndimor, mbjellim drogë, korrim mariuanë dhe shpërndajmë kokainë.

Pse nuk zgjohet e ashtuquajtura elita shqiptare për zbimin masiv të mbi gjysmës se popullsisë? A nuk i shikon qytetet e vendit të tyre të transformuara në fantazma ku të cilat të merr malli të shikosh një këmbë njeriu?

Pse nuk bën atë që duhej të bënte sot ndërgjegjja e çdo elitari ku ti shprehte refuzimin e tij rikthimit të luftës së klasave në vend dhe përndjekja politike e tërë kundërshtarëve të tij ? Të duket sikur tashme nuk kemi më intelektual të vërtetë , por më së shumti mizantrop që lëvizin brenda oborrit të shtëpisë së tyre nga ku gjoja bëjnë shkencë për shkencë ndërsa bota jonë ulëret prej padrejtësive që po bën regjimi.

Shkenca, kultura, arti, sporti, gazetaria vlen në radhë të parë se çfarë vlerash prodhojnë këto profesione në shërbim të mbarëvajtjes së shoqërisë njerëzore. Pse nuk ishte në “shesh” tërë bota jone intelektuale, për liderin e opozitë që u burgos rreth një vit në shtëpi politikisht ?

Si mund të mos dëgjojmë një psherëtimë turfulluese prej kësaj elite kur arrestimi i ish presidentit për nga standardet ligjore, njerëzore, qytetare dhe etike krijon skena të pa precedentë si ato që të kujtojnë rrëmbimin e Aldo Moros disa dekada më pare nga Brigadat e Kuqe?!

Në Shqipëri sot në fuqi janë ngjitur Brigadat e Kuqe. Nuk ka më drejtësi. Nuk ka barazi. Nuk ka qeveri. Nuk ka me qetësi. Nuk ka demokraci. Ka vetëm diktaturë.

Këtë e thotë tashmë gjithë bota demokratike perëndimore .

Pse hesht elita shqiptare brenda komfortit të saj akademik që i ka krijuar taksa e qytetarit të vjedhur shqiptar,kur shikon sot, që shtypi dhe ekrani ne vend qe të ulërinte dhe të interpretonte realitetin e zymtë shqiptarë u shpëlajnë njerëzve trurin me të pa vërteta nga realiteti?!

Ka frikë nga realiteti?

Është pushtuar nga gjumi i gjarprit të ideologjisë? I pëlqen komforti dhe s’do t’ia dijë më tej për asgjë? Çfarë tjetër mund të themi?

Në Shqipëri pa dramatizuar asgjë ka zbritur diktatura.

Njerëzit të mpirë dhe të pllakosur nga varfëria dhe shtrëngesat e jetës presin të gjejnë tek kjo elitë një thesar dëshirash e aspiratash ideali, presin t’i kthejnë ndaj saj sytë sa herë që kanë nevojë, madje duan ta ndjejnë vështrimin e tyre gjithmonë pranë, në mënyrë që afshi dhe fryma t’i prijnë, t’i ngrohin, t’i tregojnë shtegun, ashtu si pa u ndierë dhe pa kuptuar.

Intelektualiteti që e gjen konkretizimin e vet në ekzistencën e një elite, apo një opinioni publik përfaqëson jo vetëm pjesën më të çmuar të një kombi, por edhe udhëheqjen e përhershme të shoqërisë për ide, për gjykim e ndryshim kolektiv dhe tendenca historike, deri në besim, moral dhe filozofi jete. Por shtrohet pyetja: “A kemi një sot elitë?” E pat shtruar këtë pyetje nga fundi i viteve 30-të edhe vetë njëri nga mendimtarët tanë më të mëdhenj të asaj epoke, Mithat Frashëri. Do të donte të përgjigjej në mënyrë pohuese atdhetari i dashuruar pas dijes, sepse kështu ia donte shpirti, por mundi të thoshte vetëm se “na duhet patjetër të kemi një elitë, pasi ajo është njëri nga kushtet kryesore të një jete të zhvilluar dhe të përparuar”.

Edhe sot na duhet një elite që të ndihmoj shoqërinë në mënyrë që të kapërcej ngërçin e saj që e ka zënë.

Për gazetarin Klodian Tomorri ndryshimi i qëndrimit të Edi Ramës ndaj SPAK ka lidhje me ndonjë presion që i është bërë p...
02/14/2025

Për gazetarin Klodian Tomorri ndryshimi i qëndrimit të Edi Ramës ndaj SPAK ka lidhje me ndonjë presion që i është bërë personalisht atij nga jashtë.

Gjatë diskutimit në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, Tomorri u shpreh se, Rama nuk ka ndryshuar qëndrim për hapje negociatash se, për këtë e ka bllokuar vendin për 3 vite rresht për një kryetar të këshillit të qarkut të Fierit.
‘Unë e kam shumë të vështirë ta besoj se Edi Rama u tërhoq nga presioni pozitiv i BE-së për çështjen e çeljen së kapitujve, sepse ky është njeriu që e ka mbajtur Shqipërinë me vite të tëra për një kryetar të këshillit të qarkut të Fierit, që thoshte na jepni mandatin dhe e mbajti vendin 3 vite peng.

Kështu që Edi Rama nuk ka hallet e presioneve se nuk, do të të fusim në BE. Kam përshtypjen se atë ku ta gjejë, që të vazhdojë të jetojë në këtë sulltanatin e tij të pakontrolluar.

Arsyet se, pse Edi Rama ka ndryshuar tonin e tij ndaj SPAK, unë prirem të mendoj se janë të tjera.

Ndoshta ka bërë kalkulime elektorale të vetat dhe ka menduar se është më mirë të mos ketë një përplasje ballore me SPAK.

Një arsye tjetër mund të jetë frika personale, që mund të jetë, jo personalisht me Ramën, por për familjarët e tij të cilët mund të kenë hesape me drejtësinë.

Ose në rastin e presionit nga jashtë, do të ishte më i prirur të besoja për atë presionin undeground dhe që nuk ka lidhje me çelje kapitujsh, apo avancim negociatash, por ka lidhje direkt me personin.

Ndoshta mund të ketë ardhur një presion i kësaj natyre nga jashtë’, tha Klodian Tomorri në SYRI TV.

Nga Gent Strazimiri(Manual "shpjegues")Në çdo provincë të globit, kudo ku ndodhet, nëse zë miqësi me kryetarin e bashkis...
02/14/2025

Nga Gent Strazimiri

(Manual "shpjegues")
Në çdo provincë të globit, kudo ku ndodhet, nëse zë miqësi me kryetarin e bashkisë, doktorin, noterin, farmacistin, drejtorin e shkollës, avokatin, kryeinspektorin, ke hyrë me të dy këmbët në elitën e qytetit.

Mund të mos jenë tërheqës e as euridtë, por të paktën janë intelektualët e provincës, ata që përditshmërinë e kanë të lidhur me familjen dhe karrierën, mbase edhe mediokër por krejt transparente.

Maksimumi i "sekretit" që fshehin në vetvete, është ndonjë dashnore që ia dinë të gjithë (përfshi dhe bashkëshorten), por që zyrtarisht edhe ajo "nuk ekziston"...

Kjo është jeta në çdo provincë të globit, përveçse në Shqipëri...

Në Shqipëri, në një rast të tillë, me shumë gjasa, je ulur në të njëjtën tryezë me vagabondët më të dëmshëm e të rrezikshëm që edhe një skenar filmi aksion zorr se mund ta imagjinojë!

Në provincën shqiptare, Kryetari i Bashkisë filmohet duke tërhequr me hundë në një banak një pluhur të bardhë (?!)...

Fillimisht thotë "ai jam unë, po s'po thith drogë", pastaj thotë "nuk jam unë, nuk e di kush është ai që po thith me hundë, e mbase nuk po thith drogë as ai..."

Pas kësaj, jeta vazhdon... Ai bie në burg pas disa kohësh por një krim që e bëjnë të gjithë kolegët e tij... punë tenderi...

"Avokati", anëtar i një familje në zë drejtuesish të lartë të policisë, është pjesë e një organizate kriminale ndërkombëtare të trafikut të kokainës, madje paguan kolegët e organizatës për t'i vrarë gruan... kot për qejf...

"Doktori" që ka klinikën në ndërtesën më impozante të provincës, që xhaxhain e ka deputetin e zonës e që ka akses te krerët më të lartë të shtetit, në të vërtetë është një vrasës me pagesë që pistoletën nuk e heq nga brezi, as kur shtrihet të flejë gjumin e natës...

Shet kokainë dhe vret njerëz për para', megjithëse vetëm për para' nuk ka nevojë...

Me pistoletë në dorë, së bashku me bandën e kushërinjve, futet në komisariat të policisë, degjeneron oficerët, madje ndonjërin e detyron të largohet fare nga vendi me strehim politik...

Të tëra këto i bën në shoqërinë e një deputeti tjetër që nuk është i zonës, as i afërm i tij, e që pas kësaj bëhet ... Ministër i Brendëshëm...

Në fund e arrestojnë për atentat ndaj një prokurori me marrëdhënie të dyshimta profesionale dhe qartësisht armiqësore me qeverinë, mu në mes të autostradës...

"Farmacisti" është i biri i prokurorit lokal dhe rëndom është kontrabandist ilaçesh të skaduara, por pothuaj në çdo rast prej tij gjen edhe "ilaçet" që ndalohen nga ligji...

"Kryeinspektori", është i biri i një drejtueseje të lartë të sistemit të drejtësisë dhe shefit të kadastrës, por që pasion ka "boksin" aq sa vret vetëm me tre grushta qytetarin që refuzon t'i japë ryshfetin e premtuar për për korruptimin e "x" zyrtari lokal...

Në fund dënohet më pak se ç'do ishte dënuar më çdo provincë të globit për një aksident ku viktimë ka mbetur një kafshë shtëpiake...

"Noteri" është ai që "bën letrat" për aktivitetet "legale" për të gjithë sa më sipër, duke qenë se i biri është shok i ngushtë me "doktorin", "farmacistin" dhe "avokatin", njësoj si ai vetë me deputetin, prokurorin apo shefin e policisë...

Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, "Drejtori i shkollës"...

Në çdo provincë të globit, "Drejtori i shkollës" është autoritet!

Veçanërisht nëse është drejtori i të vetmes shkolle muzike jo vetëm të qytetit por i të gjithë nahise deri në kufinjtë jugorë të vendit.

Drejtori i shkollës së muzikës, në çdo provincë të mërzitëshme në çdo cep të globit ku nuk ndodh asgjë, është ai që quhet jo pa humor por edhe me respekt: "maestro"...

Është ai që ka më pak lidhje se kushdo tjetër me realitetin, sado i mbarpshtë që të jetë.

"Maestro" është ai i përhumburi mes notash pentagrami e provimesh solfezhi, që jeton me shqetësimin nëse ka ardhur koha t'u japë si detyrë muzikantëve të nesërm koncertin e tretë në la minor të Chopin, apo është ende herët...?!

Në Shqipëri, jo!

As ai që do të duhej të ishte "maestro", nuk i shpëton rregullit të mësipërm, (sepse tashmë është kthyer në rregull)!

"Maestro" në provincën shqiptare, është pjesë e rëndësishme e grupit lokal të shpërndarësve të drogës, madje në një pozicion shumë "strategjik", duke qenë se ka nën hyqëm pikërisht "klientelën" më vulnerabël të këtij biznesi: adoleshentët e shkollës së muzikës...

Të gjithë bashkë i gjen "investitorë", shpesh herë "strategjikë", përmes firmave të përbashkëta, në resorte bregdetare a malore qindramilionëshe, që lejen e ndërtimit e kanë marrë as më shumë e as më pak se tek "I Madhi"...

Kjo është panorama e "elitës" së provincës shqiptare, por nuk është fenomen vetëm provincial.

Thjesht aty është më i lexueshëm...

Në kryeqytet "elita" është e njëjta, por më komplekse për nga numri i shtuar, sepse ndryshe nga provinca aty janë mbledhur edhe "punëmbaruarat" e showbizz, studiove televizive e ekraneve, mantenutat e "elitarëve" të sipërpërmendur, por që ia kanë dalë që "aktivitetin" ta kenë aq të suksesshëm saqë "biznesin", nga provinca e origjinës ta transferojnë në Tiranë...

Përveç këtij elementi thjesht sasior, asgjë jo vetëm që nuk ndryshon nga provinca, por kupton se si çdo provincë në të gjithë globin edhe këtu thjesht pasqyrohet ajo që ndodh në kryeqytet...

Edhe këtu kryebashkiaku, ministri, drejtori i përgjithshëm, kryeinspektori, drejtori i policisë, drejtori i burgut, deputeti apo kryedeputeti janë zyrtarisht në burg ose nën hetim për "organizim të strukturar kriminal", madje në sasira aq të mëdha, saqë është kthyer në rregull...

Ka vetëm një ndryshim në kasaba, ndryshe nga provinca:

* kryevagabondi që drejton fijet është vetë kryeministri.

I drejton dhe frymëzon me mënyrën e të sjellurit si vagabond, me mënyrën e të folurit si rrugaç, me mbrojtjen që u jep publikisht pasi i ka përzgjedhur vetë "sipas imazhit të tij", derisa bien në burg me përgjime të partnerëve...

Si rrëshkitëm deri këtu në kaq pak kohë?

Me ç'mbaj mend, nuk ka qenë kështu para deri 10 vjetësh...

Madje kishim një elitë profesorësh, të pangrënë, të paveshur, që laheshin vetëm të shtunave... si të gjithë...

Por ishin familjarë, njerëz korrektë edhe në atë sovjetizmin e tyre... si të gjithë...

Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’, deklaroi se, Sali Berisha ka korrur prej tre vitesh fit...
02/14/2025

Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin ‘Çim Peka LIVE’, deklaroi se, Sali Berisha ka korrur prej tre vitesh fitore pas fitore, nga këmbëngulja dhe vendosmëria e tij.

Gjatë bisedës, Shkullaku u shpreh se, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha me qëndrimet e tij pavarësisht padrejtësive që iu bënë, ja doli që të jetë sërish i preferuari i amerikanëve.
‘Çështja është që këto ndryshime mund të mos e preknin fare PD. Por unë jam gjithmonë i mendimit se këmbëngulja dhe vendosmëria japin rezultat në politikë. Nëse dikush do të na thoshte para tri vitesh se, një amerikan do e ulej në krah të Sali Berishës, pasi na thanë se, do të hanin bar, do të na thoshin se ky është miku i SHBA, ndërsa Rama është kukulla e Sorosit dhe armiku, ne do ta merrnin për të çmendur.
Sali Berisha e nisi rrugën para tre vitesh nga një padrejtësi që ju bë. Filloi pak nga pak, fitoi betejën në PD mori vulën, mori logon e që ja kishte marrë Edi Rama, qëndroi në ‘arrest shtëpie’ dhe sot doli në krah të amerikanit që kishte ardhur.
Kjo ka ndikim sepse nëse para tri vitesh, do të na i thoshin këtë gjë ne nuk do ta besonim, siç po thonë që do të shkarkohej Yuri Kimi, që Blinkeni do dilte ‘non grata’ në Amerikë. Pra do na quanin të çmendur, dhe këta të opozitës merren me konspiracione.
Kush nga ju e ka dëgjuar që Edi Rama të thotë ku e keni atë ‘non grata’. Tani një pyetje kam unë për Edi Ramën, a ikën dot ai në Uashington, a shkon dot të shikojë një ndeshje të NBA, në Manhatan.
Pra duhet të them që kjo duhet të na shërbejë edhe si një përvojë se sa naive kanë qenë ato qëndrime që na doli fyti duke debatuar në studio që ja Amerika, Amerika. Tani cila është Amerika, ajo e çerdhes së gjarpërinjve marksiste apo e këtyre që erdhën tani. Unë kam qenë i një parimi që njeriu duhet të mbajë një parim të vetëm pavarësisht se ndryshimit të faktorëve të ndryshëm’, tha Armand Shkullaku në SYRI TV.

Address

Washington DC
Plymouth, MI

Website

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Zëri jonë.USA posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Business

Send a message to Zëri jonë.USA:

Videos

Share