06/01/2022
Vetura e parë e prodhuar në Turqi realizon debutimin ndërkombëtarë në Las Vegas
Makina e parë turke bëri debutimin publik dje në CES 2022, ekspozita më e madhe në botë e elektronikës së dedikuar për konsum, e cila po mbahet në qytetin amerikan Las Vegas, raporton Anadolu.
“Ne e përkufizojmë veten si një kompani teknologjike. Kjo është arsyeja pse ne jemi në CES, vendi ku mblidhemi për inovacionet e fundit teknologjike dhe risitë”, tha në konferencë për media Gurcan Karakas, drejtor ekzekutiv i Grupit të Iniciatviës së Automobilit të Turqisë (TOGG), konsorciumi që zhvilloi makinën.
Karakas tha se teknologjitë e TOGG-ut, të unifikuara nën platformën “Smart Life”, përfshijnë shumë më tepër sesa thjesht një makinë plotësisht të ndërlidhur.
“Ne po ndërtojmë TOGG-un me një qasje plotësisht të përqendruar te përdoruesi. Nëse një produkt nuk krijon vlerë për përdoruesin, ai nuk do të mbijetojë”, tha ai, duke shtuar:
“Ne e përkufizuam pajisjen tonë inteligjente C-SUV si të përqendruar te përdoruesi, inteligjente, empatike, e ndërlidhur, autonome, e përbashkët dhe elektrike”.
“Koncepti ‘Use-Case Mobility’, i cili mishëron këto karakteristika, është regjistruar në të gjithë botën. Ne kemi punuar në mbi 350 raste të përdorimit dhe kemi dalë me mbi 40 ide novatore. Më shumë se 2.000 njerëz morën pjesë në kërkimet sasiore që përfshinte më shumë se 30 fokus grupe dhe intervista. ‘User Journey Map’ u zhvillua bazuar në konceptet që ne i kemi dhënë prioritet”, shtoi ai.
Karakas tha se portofoli i TOGG-ut përfshin zgjidhje inteligjente energjetike, duke shtuar: “Ne do t’i prodhojmë bateritë tona në vend përmes ‘Siro Silk Road Clean Energy Solutions’, një sipërmarrje e përbashkët me Farasis Energy”.
“Ne synojmë të furnizojmë bateri për të gjitha llojet e automjeteve elektrike dhe të krijojmë një prani në sektorët jo automobilistikë si ofrues i baterive dhe sistemeve të ruajtjes së energjisë”, shtoi ai.
TOGG synon të prodhojë një milion automjete në pesë segmente të ndryshme deri në vitin 2030.
“Deri në fund të vitit 2022, ne do të nxjerrim në treg automjetin tonë të parë të prodhimit masiv”, tha Karakaş.
“Automjeti ynë i parë në segmentin C-SUV, do të dalë në treg në tremujorin e parë të vitit 2023 pas përfundimit të testeve të homologimit. Do të jetë automjeti SUV i parë elektrik i prodhuar në Evropën kontinentale nga një prodhues jo tradicional”, shtoi ai.
Në muajin qershor të vitit 2018, pesë gjigantë të industrisë turke, respektivisht Anadolu Group, BMC, Kök Group, Turkcell dhe Zorlu Holding, si dhe organizata ombrellë Unioni i Odave dhe Shkëmbimeve të Mallrave të Turqisë, bashkuan fuqitë për të krijuar nismën TOGG.
TOGG në vitin 2021 u bë marka e parë turke që mori çmimin iF Design, një nga çmimet më prestigjioze të dizajnit në botë, me modelin e saj C-SUV.
/TV21