11/12/2024
Të dashur miq, qytetarë të Drenasit dhe gjithë Kosovës,
Sot, me krenari të madhe dhe ndjenjën e përgjegjësisë së lartë, kam nderin të paraqes kandidaturën time për deputet në Kuvendin e Kosovës, me besimin që më është dhënë nga Partia Demokratike të Kosovës! Ky nuk është vetëm një hap politik, ky është një zotim i sinqertë për vizionin që të gjithë meritojmë: një shtet të drejtë, të fuqishëm dhe të përparuar.
Gjithmonë kam besuar se forca jonë e vërtetë qëndron në unitetin dhe ndihmën që i japim njëri-tjetrit. Nga familja dhe populli ynë kam mësuar se ndershmëria, përkushtimi dhe shërbimi ndaj të tjerëve janë vlerat që duhet të udhëheqin çdo hap të njeriut. Pikërisht këto vlera më kanë udhëhequr gjithmonë dhe do të vazhdojnë të jenë busulla ime në këtë rrugëtim, një bindje që më shtyn çdo ditë përpara!
Kam zgjedhur që herët rrugën e parimeve dhe idealit, rrugën e ndershmërisë, ashtu siç e dini dhe më njihni të gjithë!
Gjatë viteve, kam pasur nderin të dëgjoj dhe të mësoj nga secili prej jush, nga sfidat tuaja, nga aspiratat tuaja dhe nga vendosmëria juaj për të bërë më të mirën për familjen dhe vendin tonë. Pikërisht këto përvoja më kanë formësuar dhe më kanë dhënë një qëllim e një mision të qartë!
Kandidatura ime është për çdo qytetar që beson se ëndrrat mund të realizohen në Kosovë. Ajo është për studentin që kërkon mundësi për një të ardhme të ndritur dhe me dinjitet, për fermerin që punon me përkushtim për të mbajtur familjen e tij, për punëtorin që sakrifikon çdo ditë për një jetë më të mirë, për mjekun dhe mësimdhënësin që kontribuojnë pa pushim për shoqërinë, dhe për pensionistin që ka dhënë gjithçka për ndërtimin e këtij vendi. Kandidatura ime është për një Kosovë që ofron shpresë, mundësi dhe krenari për të gjithë!
Në këtë garë, unë mbaj me vete besimin tuaj, për një të ardhme më të ndritur për fëmijët tanë. Në këtë rrugëtim jemi një, qëndrojmë së bashku në vizionin e PDK-së, partisë së lirisë dhe pavarësisë, liderëve tanë historikë Hashim Thaçi e Kadri Veseli!
Është koha për të ngritur shpresën e çdo qytetari dhe për të dhënë dinjitet e krenari për çdo familje. Është koha për të bërë hapa të mëdhenj përpara për Kosovën që duam dhe e meritojmë të gjithë!
Faleminderit nga zemra, me mirënjohje e besim të plotë!