09/12/2024
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime për të promovuar përgjegjshmërinë ndaj autorëve të korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në mbarë botën.
Departamenti i Shtetit ka përcaktuar 14 individë, përfshirë anëtarët e familjes së ngushtë, për përfshirjen e tyre në korrupsion të rëndësishëm dhe një zyrtar për përfshirjen e tij në shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, në përputhje me Seksionin 7031(c) të Aktit të Përvitshëm për Përvetësime të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programeve të Ndërlidhura (“Seksioni 7031(c)”), duke i shpallur ata të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Shtetit po ndërmerr gjithashtu hapa shtesë për të imponuar kufizime vizash ndaj dhjetëra individëve në përputhje me disa politika nën seksionin 212(a)(3)(C) të Aktit të Emigracionit dhe Kombësisë.
Gjithashtu, në përvjetorin e shpalljes së Proklamatës Presidenciale 10685 nga Presidenti Biden, Departamenti ka ndërmarrë veprime bazuar në këtë autoritet për të kufizuar vizat e individëve që kanë lehtësuar ose janë përfshirë në korrupsion të rëndësishëm, si dhe anëtarët e familjeve të tyre të ngushta.
Njëkohësisht, Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar, po sanksionojnë nëntë individë dhe 19 entitete që përbëjnë një rrjet global korrupsioni në Zimbabve nën programin e sanksioneve Global Magnitsky, si dhe tre individë dhe entitete në Jemen dhe Siri të lidhura me shkelje të të drejtave të njeriut nën programin e sanksioneve Global Magnitsky dhe programin e sanksioneve për Sirinë. Për më shumë informacion mbi veprimet e Thesarit, ju lutemi shikoni njoftimin e tyre për shtyp.
VEPRIME TË NDËRMARRA PËR PROMOVIMIN E PËRGJEGJSHMËRISË NDAJ KORRUPSIONIT
Maqedonia e Veriut

Artan Grubi, ish-Zëvendës Kryeministër i Maqedonisë së Veriut

Enver Bexheti, Gjykatës i Gjykatës së Apelit në Maqedoninë e Veriut
Në përputhje me Seksionin 7031(c), Departamenti i Shtetit po përcakton publikisht Artan Grubin dhe Enver Bexhetin për përfshirjen e tyre në korrupsion të rëndësishëm duke pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkovit, drejtorit të Administratës për Siguri dhe Kundërzbulim (UBK) të Maqedonisë së Veriut. Mijalkov ishte përcaktuar në vitin 2022 për korrupsion të rëndësishëm nën Seksionin 7031(c), dhe OFAC e sanksionoi atë sipas E.O. 14033. Si pjesë e këtij veprimi, anëtarët e ngushtë të familjes së Grubit janë gjithashtu të përcaktuar.