06/10/2023
Si kalcifikohen elitat shqiptare përballë të huajve?
Enver Hoxha, nuk u rrëzua prej Krushovit siç ndodhi me shumë diktatorë në Europën Lindore. Enveri pyeti veten: Që të më rrëzojë, Krushovi, duhet të më godasë me dikë nga brenda regjimit. Po me kë? Mehmeti, Hysniu, Beqiri. I mori ata e u dha atë çka Krushovi do u jepte nëse do e godisnin Enverin.
Ata u kalcifikuan të gjithë së bashku. Asokohe kalficikoheshin në një parti të vetme pasi sistemi ishte njëpartiak. Po sot, a po kalficikohen elita shqiptare, veçse në parti të ndryshme, pasi sistemi është shumë-partiak? Po kalcifikohen derisa të "kalojë" goditja?
Shqipëria është vend natyrshëm lindor me gravitet në Kostandinopojë - edhe perandorët romakë ilirikë nuk kanë ndejtur në Romë por në Bizant. Diokleciani ndejti në Nikomedia (Turqi), Kostandin, Justin e Justinian, në Kostandinopojë. Mbi 20 vezirët shqiptarë të Perandorisë Osmane, ishin lloj princash, edhe ata graviteti i tërhoqi në Stamboll. Në 1500 vjet kjo etni ka sunduar e është ngritur në Lindje - Kostandinopojë.
Mardhënia me çka i vjen prej përtej detit nuk është mardhënie aq e natyrshme. Është mardhënie e cila duhet menaxhuar e dredhuar, deri në komplot. Shtetet detare kanë shtrirë ndikim veç në brigje.
Në vitet 1300 ndodhi e njejta gjë; prej përtej detit erdhën anzhuinët. Karli Anzhu u shpall mbret në Shqipëri (Regnum Albaniae). E shpalli Papa, në negociata me sunduesit vendorë. Mirëpo Karli nuk kishte synim vetëm detin, ai synonte Kostandinopojën. Gjithçka e modelonte në shërbim të synimit për Kostandinopojën. Nisi represionin për të nënshtruar sunduesit e kohës. Nisi konfiskimin e tokave. Disave iu morën fëmijët si peng sigurie.
Çfarë bënë sunduesit shqiptarë? Shkuan tek perandori i Bizantit Mihajli VIII dhe i kërkuan atij të niste ushtri për të përzënë sundimin anzhu. Sunduesit shqiptarë u bënë aktorë në përplasjen ndërkombëtare midis mbretit Karl Anzhu (mbret i Shpisë së Francës) dhe Kostandinopojës. Sundues si Gjin Muzaka, Dhimitër Zogu e Guljem Blinishti, u burgosën në Napoli.
Elitat shqiptare, kaq të vogla, kanë sjellë flotën ruse në Adriatik (Vlorë), si mekanizëm për tu mbrojtur politikisht. Askush nuk e ka bërë, as Greqia, as Italia, as Jugosllavia. E kanë bërë shqiptarët. Elitat shqiptare kanë sjellë Kinën në Ballkan. Dy perandori të mëdha të Lindjes kanë ardhur në brigjet e Adriatikut të thirrura nga shqiptarët (siç u thirr Mihajli VIII, siç familja Topiaj thirri Sulltanin, kundër Balshajve). Me qëllim për të përballuar goditjen, kryesisht nga përtej detit.
Prandaj mos u çudisni nëse sot elita shqiptare është kalcifikuar e gjitha, nëpër parti, në biznes në media, në fe, në krim, në tentativë për të përballuar goditjen që iu bëhet.