10/02/2025
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë në Fokusin e Raportit të OSCE/ODIHR-it
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH) është një nga shembujt e praktikave të mira të dialogut ndërfetar, i përfshirë në raportin e OSCE/ODIHR mbi lirinë e fesë dhe besimit. I themeluar në vitin 2007 nga përfaqësuesit e katër komuniteteve më të mëdha fetare në vend, më vonë i zgjeruar edhe me komunitetin ungjillor, Këshilli ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e dialogut ndërfetar, mirëkuptimit dhe harmonisë fetare në Shqipëri dhe përtej saj.
Sipas raportit, Këshilli garanton një pjesëmarrje të barabartë të të gjitha komuniteteve të përfaqësuara, duke funksionuar me një sistem drejtues rotativ mes liderëve fetarë. Raporti përmend si një aspekt të rëndësishëm përfshirjen e grave dhe të rinjve në veprimtaritë e tij, ku në Bordin Ekzekutiv një e treta janë gra.
Për më tepër, KNFSH ka luajtur një rol aktiv në çështje të rëndësishme shoqërore, duke nxjerrë deklarata publike për të kundërshtuar dezinformimin dhe urrejtjen fetare, si dhe duke ndërmarrë iniciativa për mbështetjen e viktimave të dhunës dhe terrorizmit. Gjatë krizave, si pandemia COVID-19 dhe pas ngjarjeve ndërkombëtare, Këshilli ka dhënë deklarata dhe mesazhe uniteti e solidariteti.
Këshilli gjithashtu është angazhuar në veprime humanitare, si ndihma për të prekurit nga tërmeti i vitit 2019 dhe projektet e mbështetjes për familjet e të rikthyerve nga konflikti në Siri, duke ofruar ndihmë dhe asistencë në rehabilitimin e tyre falë dhe mbështetjes së disa organizatave ndërkombëtare.
Puna e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë është njohur me çmime dhe vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, duke theksuar rëndësinë e tij në ndërtimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe të harmonizuar fetarisht në Shqipëri.
Raportin në origjinal mund ta shkarkoni nga ky link:
https://www.osce.org/odihr/571789