
27/03/2025
International Theatre Institute ITI World Organization for the Performing Arts
Mesazh për Ditën Botërore të Teatrit 2025 – 27 mars
Autori i mesazhit: Teodoros TERZOPULOS, Greqi
Regjisor teatri, mësues, autor, themelues dhe drejtor artistik i kompanisë teatrale Attis, frymëzues i Olimpiadës Teatrore dhe drejtues i komitetit ndërkombëtar të Olimpiadës Teatrore
A mund ta dëgjojë teatrin thirrjen për ndihmë që lëshon koha jonë, në këtë botë qytetarësh të varfëruar, të izoluar në qelitë e realitetit virtual, të zhytur thellë në privatësinë e tyre mbytëse? Në një botë me ekzistenca të robotizuara në brendësi të një sistemi kontrolli totalitar e shtypjeje në të gjitha fushat e jetës?
A shqetësohet teatri për shkatërrimin ekologjik, për ngrohjen globale, për humbjen në masë të biodiversitetit, për ndotjen e oqeaneve, për shkrirjen e akullnajave, për zjarret gjithmonë e më të shpeshta në pyje dhe për sjelljet ekstreme të motit? A mund të bëhet teatri një pjesë aktive e ekosistemit? Teatri e ka parë për vite me radhë ndikimin e njeriut mbi planetin, por duket ta ketë të vështirë të përballet me këtë problem.
A shqetësohet teatri për gjendjen e njeriut si një krijesë që po shndërrohet në shekullin XXI, ku qytetari manipulohet nga interesat politike dhe ekonomike, nga rrjetet mediatike dhe kompanitë që ndikojnë mbi krijimin e opinionit? Ku mediat sociale, sado që duket sikur e lehtësojnë, mbeten alibia më e
madhe ndaj komunikimit, sepse ofrojnë distancën e nevojshme për të qenë i sigurt nga tjetri? Një ndjenjë e kudogjendur frike ndaj tjetrit, të ndryshmit, të huajit mbizotëron mendimet dhe veprimet tona.
A mund të jetë teatri një punëtori për bashkëjetesën e të ndryshmeve, pa marrë parasysh plagën që rrjedh gjak?
Plaga që rrjedh gjak na fton të rindërtojmë mitin. Dhe, ashtu siç thotë Hajner Myleri: “Miti është një përmbledhje, një makineri së cilës mund t’i bashkëlidhen në çdo kohë makineri të reja dhe të ndryshme. Ai transporton energjinë deri sa shpejtësia që sa vjen e rritet, do ta shpërthejë fushën kulturore”, dhe unë do të shtoja, edhe fushën e barbarisë.
A mundet që projektorët e teatrit të hedhin dritë mbi traumën shoqërore dhe ta ndalin ndriçimin mashtrues hedhur mbi veten?
Të gjitha këto janë pyetje që nuk të lejojnë të japësh përgjigje përfundimtare, sepse teatri ekziston dhe jeton falë pyetjeve që nuk mund të marrin përgjigje.
Pyetje të ngacmuara nga Dionisi, që sot, në Ditën Botërore të Teatrit, kalon nëpër vendlindjen e tij, nëpër orkestrën e teatrit të lashtësisë dhe vazhdon rrugëtimin e tij të heshtur prej refugjati nëpër peizazhe lufte.. Ejani ta shohim në sy Dionisin, perëndinë e ngazëllyer të teatrit e mitit, që bashkon të kaluarën, të
tashmen dhe të ardhmen; fëmijën e dy lindjeve, nga Zeusi dhe Semela, shprehës i identiteteve të paqarta, femëror dhe mashkullor, zemërak dhe zemërmirë, hyjnor dhe shtazarak, diku mes çmendurisë dhe arsyes, rendit dhe kaosit, një akrobat në kufirin mes jetës e vdekjes. Dionisi ngre një pyetje ontologjike thelbësore: “Për çfarë bëhet e gjithë kjo?”, një pyetje që e shtyn krijuesin drejt një hetimi gjithnjë e më të thellë drejt rrënjëve të mitit dhe dimensioneve të shumta të enigmës njerëzore.
Na nevojiten mënyra të reja narrative që të na kultivojnë kujtesën dhe të na formojnë një përgjegjësi të re morale dhe politike, në mënyrë që të mund të dalim nga diktatura shumëformëshe e kësaj
mesjete të ditëve të sotme.
Teodoros Terzopulos
Përktheu nga anglishtja Dr. Anxhela Çikopano / Studiuese e teatrit pranë Qendrës së Studimit të Arteve në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Theatre Director, Educator, Author, Founder and Artistic Director of the Attis Theatre Company, Inspirator of Theatre Olympics and Chairman of the International Committee of Theatre Olympics