25/03/2021
Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësimin për shqyrtimin dhe miratimin me shpejtësi, të paketës ligjore për ndryshime në 10 ligje të reformës në drejtësi, e cila gjeneron rreth 154 amendamente ose ndryshime/shtesa në total.
Së bashku me 71 organizata të shoqërisë civile, KShH doli me një reagim të përbashkët, me të cilin shpreh indinjatën për mungesën e transparencës dhe konsultimit gjithëpërfshirës në hartimin e kësaj pakete. Teksa vlerësojmë faktin se misione të asistencës ndërkombetare dhe disa prej institucioneve të sistemit të drejtësisë janë përfshirë në këtë proces konsultimi, tërheq vëmendje selektiviteti i këtij konsultimi, duke lënë jashtë procesit të marrjes së mendimeve dhe sugjerime, organe të tjera të sistemit të drejtësisë si Këshillin e Emerimeve në Drejtësi, Gjykatën Kushtetuese (për ligjin organik të saj), Shkollën e Magjistraturës, përfaqësues të trupës pedagogjike, shoqatat e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatë si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile me përvojë në këtë fushë.
Në parim, vlerësojmë se mungesa e një procesi konsultimi gjithëpërfshirës, mungesa e transparencës, urgjenca për t’i diskutuar e më pas miratuar këtë paketë ligjore në seancë plenare para zgjedhjeve parlamentare si dhe mosrespektimi i plotë i dispozitave të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe kërkesave të Rregullores së Kuvendit krijojnë një atmosferë mosbesimi ndaj kësaj pakete.
Vlen të theksojmë se ndryshimet e miratuara në dt.23 Mars në Kuvend prekin aspekte të rëndësishme në paketën bazë të reformës në drejtësi, të tilla siç janë ndryshimi i kriterit të vlefshmërisë së mbledhjes së posaçme në Gjykatën e Lartë, nga e cila varet kuorumi i nevojshëm për miratimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, kur organ emërtese është Gjykata e Lartë, ndryshimin e rregullave për përbërjen e trupave gjyqësore në gjykatat e Apelit si dhe parashikimin e kritereve më të dobësuara profesionale për këshilltarët apo ndihmësat ligjor në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit.
Në çdo ndryshim në Kodet/Ligjet procedurale apo organike te drejtesise kërkohet një analizë e plotë dhe e gjithëanshme, objektive dhe profesionale, e konsultuar gjerësisht. Dispozitat e amenduara që ulin numrin në përbërjen e trupave gjyqësore për një kategori të caktuar çështjesh, mund të krijojnë problematika pasi në Shqipëri ende vijon të jetë prezent rreziku i korrupsionit në sistemin e drejtësisë. Ky rrezik edhe pse mund të jetë ulur disi si rezultat i procesi të vettingut, sërisht është i pranishëm pasi vettingu ende nuk ka përfunduar per gjysmen e subjekteve dhe institucionet e specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë në vitet e para të punës së tyre.
Çdo ndërhyrje në paketën ligjore të reformës në drejtësi duhet të ideohet minimalisht me të njëjtat standarte dhe parime që udhëhoqën dhe shoqëruan hartimin dhe miratimin e reformës në sistemin tonë të drejtësisë ne vitin 2016, në përputhje me standardet e duhura të procesit të ligjbërjes, duke garantuar gjithëpërfshirje, një proces të matur dhe në kohë të arsyeshme, transparencë të plotë ndaj publikut dhe çdo aktori të interesuar, shmangien e ndikimeve potenciale të interesave të natyrës politike apo influencave nga jashtë sistemit, duke përmbushur në këtë mënyrë qëllimin madhor të garantimit të besimit të publikut në Sistemin e Drejtësisë.