11/01/2026
Kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu: Kemi nxjerrë nga harta e përmbytjeve 85% të territorit.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu është shprehur se ia kemi dalë që të përballojmë këtë situatë të rëndë me 4-5 shtëpi me prezencë uji në oborre.
"Ia dolëm në një nga situatat më të rënda të reshjeve që prej kur morëm detyrën. Ia dolëm që vetëm 4-5 shtëpi të kenë ujë në oborr dhe asnjë brenda në shtëpi.", deklaron Ndreu.
Sipas kreut të Bashkisë në 6 vite janë hapur mbi 730 km kanale kulluese.
Ndreu thekson:
"Punuam me kanalet kulluese, mbi 730 km për 6 vite. Ia dolëm që të nxjerrim nga harta e përmbytjes mbi 85% të territorit.".
Qyteti i Lezhës për 10 orë u kthye në normalitet, ndërkohë Ndreu thekson se me përfundimin e investimeve kjo situatë në qytet do të gjejë zgjidhje përfundimtare.
"Ia dolëm që ta sjellim qytetin e Lezhës në normalitet, në rastin më të keq, për 10 orë. Së shpejti do të harrohen përmbytjet, pasi investimi është në proces".
U përballua edhe situata e çarjes së argjinaturës.
"Ia dolëm që të përballojmë edhe çarje masive të argjinaturës dhe të mos rrezikojmë asnjë banor. Ulëm kokën në punë, nuk fjetëm, në shërbim të banorëve".
Kreu i Bashkisë vlerësoi edhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve.
"Ia dolëm të kemi një solidaritet të pashoq: Qeveri-Bashki-Institucione lokale-biznese private dhe banorë të mrekullueshëm. Kurrë më parë s’kemi qenë më në harmoni dhe me më shumë besim se kaq".
Ndihma u është ofruar të gjithë atyre që kishin nevojë, madje shkuam edhe tek provokatorët avuzues pa asnjë pikë ujë, tha Ndreu.
"Ia dolëm t’i shkojmë shtëpi në shtëpi kujtdo që kishte nevojë, që bëri një SMS apo një telefon në Bashki. Shkuam edhe te provokatorë e abuzues, që pa asnjë pikë uji në oborr shqyen gojën para kamerave, gjoja se po mbyten".
Puna nuk do të ndalet deri në zgjidhjen e plotë të problemit. Sipas Ndreut ka marrë fund koha e punëtorëve që s'shkonin në punë dhe sh*tja e naftës së ekskavatorëve në tregun e zi.
"Ia dolëm dhe do t’ia dalim gjithmonë, sepse puna jonë nuk do të ndalet deri në eliminimin e problemit edhe në disa zona që paraqesin probleme!
Askush nuk na ndal në atë që kemi nisur, për të shërbyer. Koha kur merreshin rroga pa ardhur në punë, kur sh*tej nafta e eskavatorëve të bujqësisë në tregun e zi, duke lënë kanalet kulluese në harresë, kur përmbytej gjithë Lezha dhe nuk thahej për 10 ditë, ka mbarua", pohoi Ndreu.