Antigonea News

Antigonea News Antigonea News

28/11/2024
MODA E RE “SHQIPLISHT Nga Dr. Diana DJALOSHI (Papleka)Octavio Paz, një diplomat dhe poet i shquar meksikan ka theksuar “...
26/11/2024

MODA E RE “SHQIPLISHT
Nga Dr. Diana DJALOSHI (Papleka)

Octavio Paz, një diplomat dhe poet i shquar meksikan ka theksuar “kur shoqëria degradon, gjuha është e para që gangrenizohet. Për rrjedhojë, kritika shoqërore duhet të përqendrohet tek gramatika dhe ripërcaktimi i kuptimit të fjalëve”. Gjuha dhe sidomos leksiku i saj janë pasqyrë e të gjitha ndryshimeve që ndodhin në shoqëri, e në mënyrë të veçantë, kur këto ndryshime janë rrënjësore në të gjitha sferat shoqërore. Për këtë arsye gjuha shërben si një instrument me rëndësi për mbrojtjen e identitetit kolektiv dhe kohezionit social dhe luan një rol të rëndësishëm në organizimin dhe bashkërendimin e veprimeve të shoqërisë.
Në kushte dhe rrethana të reja, lind nevoja për forma dhe mënyra të reja për të pasqyruar realitetin e ri dhe për të shprehur larminë e koncepteve të shumta. Forca e gjuhës, përmes njësisë bazë të saj, fjalës, shërben edhe si pikë referimi për shtruarjen dhe zgjidhjen e mjaft problemeve shoqërore dhe politike, duke funksionuar si faktor rregullues dhe bashkërendues. Për të kuptuar forcën e fjalës mjafton t’u referohemi fjalimeve të Barak Obamës, të cilat konsiderohen sot si ligjërime politike model për botën, për faktin e qartësisë dhe saktësisë në përdorimin e fjalëve. Gjatë fushatës zgjedhore, Obama i bëri për vete amerikanët, sepse, siç thoshte shtypi, ai fliste gjuhën e popullit, i emërtonte gjërat me emrat e tyre të vërtetë. Kjo i bënte fjalimet e tij bindëse, frymëzuese dhe motivuese.
Konfuci dhe ndjekësit e tij besonin që krizat sociale lindin nga dështimi për të perceptuar në mënyrë të saktë, për të kuptuar realitetin dhe për t’u përballur me të. Sipas tij krizat sociale lindin nga dështimi për t’i quajtur objektet dhe dukuritë me emrat e tyre të vërtetë. Zgjidhja që propozonte Konfuci ishte: “rectification of names” (qartësim dhe diferencim i kuptimit), gjë që çonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në harmoninë sociale. Ai theksonte se “nëse gjuha nuk është e saktë dhe korrekte, atëherë mesazhi që thuhet nuk është ai që dërguesi ka patur si qëllim të transmetojë, gjë që çon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mosbërjen e asaj që duhet bërë. Nësë gjërat që duhen bërë nuk bëhen, atëherë morali, drejtësia dhe arti do të cenohen, për rrjedhojë individët do të mbeten të hutuar dhe pa forcë për të ndryshuar realitetin”.
Tranzicioni politik i shoqërisë shqiptare karakterizohet nga shumë zhvillime të rëndësishme në pasurimin, plotësimin, diferencimin dhe saktësimin e leksikut në përgjithësi dhe të leksikut politiko-shoqëror në veçanti. Gjuha shqipe u gjend e papërgatitur, që me mjetet e veta ekzistuese të emërtonte dukuritë, objektet, konceptet dhe praktikat e reja që vërshuan në vitet ‘90 e në vazhdim, sidomos në fusha të panjohura më përpara si shoqëria civile, interneti dhe kompjuterat, media, demokracia, stili perendimor i jetesës etj. Përdorimi i shumëfishuar i fjalëve dhe termave të huaj ndryshoi jo vetëm të folurën por edhe të menduarit e shoqërisë, një fenomen që ndodhi dhe po ndodh jo vetëm në shoqërinë tonë por edhe në shumë shoqëri të tjera. Përdorimi i fjalëve dhe termave të huaja nuk është diçka e gabuar nëse nuk ekzagjerohet dhe nëse ndodh kur ka zbrazëti dhe mungesë të mjeteve ekzistuese të gjuhës. Mbipërdorimi i fjalëve dhe termave të huaj edhe në rastet kur kemi gjegjese në gjuhën shqipe është një dukuri e gabuar dhe e dëmshme, e cila ka shkaktuar shqetësim tek shumë profesionistë të fushës së gjuhësisë dhe të fushave të tjera si edhe tek shumë qytetarë të përgjegjshëm.
Prof. A. Fuga, në librin e tij “Komunikimi në shoqërinë masive”, flet për një “krizë linguistiko - semantike”, krijuar nga përdorimi për të njëjtën përmbajtje kuptimore, të fjalëve të ndryshme si edhe nga përdorimi kontekstual i fjalës (kur e njëjta fjalë, në kontekste të ndryshme, merr kuptime të ndryshme). Kjo situatë, sipas tij, ka sjellë një “kaos konceptual” dhe pasqyrimi i tij në gjuhë dhe ligjërim krijon probleme të mëdha për përdoruesit e gjuhës. Shqetësimi i Profesor Gjovalin Shkurtajt (kryesisht i përshkruar tek libri i tij “Urgjenca Guhësore”) për përdorimin e gjuhës shqipe është një këmbanë alarmi që duhet marrë shumë seriozisht, sidomos nga vendim marrësit dhe individët me ndikim në publik. Ai është i bindur se të gjithë shqiptarët po e përjetojnë jo pa shqetësim rënien e kujdesit të shtetit dhe të institucioneve zyrtare e publike ndaj gjuhës shqipe. Profesor Shkurtaj shqetësohet nga fakti që gjuha shqipe po keqpërdoret dhe po njolloset nga autorë të pakujdesshëm në administratë, në gazetari, në politikë. Zyrtarët dhe politikanët, sipas tij, duhet të kenë një vetëdije të lartë gjuhësore, në mënyrë që ndjekësit dhe nëpunësit të kopjojnë prej tyre gjuhën e pastër shqipe. Mjafton të lexosh shkresat dhe dokumentacionin e administratës publike që të kuptohet niveli i seriozitetit të përdorimit të gjuhës shqipe, jo vetëm me shkrim por edhe me gojë (shkronja të munguara apo të shkruara gabim, apo edhe fjalë të huaja të përdorura pa nevojë për shkak të ekzistencës së gjegjëses tyre në shqipe).
Politikanët, moderatorët, drejtuesit e emisioneve, drejtuesit e tjerë publikë, si edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë përgjegjësi më të madhe sesa publiku në lidhje me përdorimin e duhur të elementit më të rëndësishëm identifikues të një kombi që është gjuha. Të gjithë jemi dëshmitarë se si ata në fjalimet e tyre përdorin në mënyrë të panevojshme fjalë dhe shprehje në gjuhë të huaj, sidomos në anglishte (edhe kur ka fjalë apo terma gjegjës të gjuhës shqipe) pa asnjë kriter, pa asnjë shpjegim duke e shtrembëruar gjuhën shqipe në mënyrën të padrejtë dhe të papërgjegjshme.
Pothuajse në të gjitha kanalet televizive gazetarë dhe moderatore përdorin fjalë dhe togfjalësha të huaj duke e “makaronizuar” të folurën e tyre në mënyrë arrogante dhe egoiste. Problemi nuk qëndron vetem tek fakti pse ata (për arsye që unë as nuk i kuptoj) mbipërdorin fjalë dhe terma në aglishte. Mbase ata flasin “shqiplish” (shqip-anglishte) vetëm për mode, por të qënit në pozitë pushteti u mundëson atyre të ndikojnë tek pasuesit e shumtë, duke krijuar modele komunikimi të pakuptueshme dhe më së shumti nuk e lejon gjuhën të luajë rolin parësor të saj -komunikimin dhe të kuptuarit. Përdoruesit “VIP” dhe me pushtet të gjuhës shqipe as që e vrasin mendjen në lidhje me dëmin që po shkaktojnë si rrjellojë e papërgjegjshmërisë dhe e vetëdijës së ulët gjuhësore, duke përhapur modele gjuhësore dhe modele sjelljeje, të cilat, për fat të keq, po bëhen norma të përhapura dhe ngulitura me shpejtësi nga pasuesit e tyre të shumtë, të cilët po e shndërrojnë këtë mënyrë të foluri në normën e të folurës së tyre të përditshme dhe kjo përhapje e bën këtë dukuri të ketë përmasa shkatërruese për gjuhën.
Profesor Agron Duro (terminolog dhe gjuhëtar i shquar) e emerton këtë dukuri (sidomos kur fjalët e huaja përdoren nga drejtuesit e lartë politikë) si “partipria”. Për të qënë e saktë dhe faktike në muajt e fundit kam ndjekur një numër të konsiderueshëm fjalimesh të figurave politike të qeverisë dhe të opozitës dhe nuk kam arritur të veçoj as edhe një politikan të vetëm, që të mos mbipërdorë fjalë të huaja (në mënyrë të panevojshme) në diskursin e vet. Në të njëjtën kohë mjafton vetëm një vështrim mbi kanalet televizive më të mëdha (pa i përmendur), të cilat nga dhjetra emisione televizive, vetëm një numër të papërfillshem e kanë emërtuar me tituj shqip.
Nuk besoj se ekziston asnjë shqiptar që të mos jetë lodhur nga zhurma e tmerrshme e modelit “merimangë” ku të gjithë “panelistët” flasin në të njëjtën kohë duke e ndërprerë njëri tjetrin me arrogancë të pashembullt dhe për më tepër duke bërë një mishmash stili dhe fjalësh të huaja, që të krijon ndjesinë e stomakut të sëmurë. Ndërkohë që gjyshërit dhe prindërit tanë duhet të ndjekin kurse të gjuhës angleze, që të arrijnë të kuptojnë gjuhën e re të “elites shqiptare”.
Një tjetër aspekt i pandjeshmërisë kulturore dhe gjuhësore vihet re në emërtimet e bizneseve (kafene, sh*tore dhe deri edhe barnatore) me emra të huaj. S’po sjell shembuj sepse mjafton një shetitje në zonën më të spikatur, të ashtuquajturën “Blloku” për të kuptuar masivitetin e emërtimeve në gjuhë të huaj. Nuk rri dot pa e kujtuar metaforën e përdorur nga shkrimtarja kroate Slavenka Drakuliç, ku ajo përshkruan nëse një njeri do të hidhej me parashutë, në këtë rast po marrim si shembull zonën e famshme të Bllokut, nuk kishte për t’a kuptuar kurrë se në çfarë vendi është as nga emërtimet e bizneseve, as nga simbolet e përdorura dhe sigurisht as nga mënyra mishmash e përdorimit të gjuhës. Nuk e kuptoj pse personat që kanë bizneset e tyre nuk i emërtojnë ato me emrin e familjes siç bën familja “Çobo”...
Ka edhe njerëz që mundohen të justifikohen duke e bërë emigracionin dhe emigrantët “fajtorë” për shkatërrimin e gjuhës shqipe. Unë mendoj se ky paragjykim është i gabuar sepse gjuhën po e shkatërrojnë njerëzit me pushtet. Nga ana tjetër emigrantët, edhe pse në mjedis kulturor dhe gjuhësor të huaj, mund të bëjnë më tepër për ta ruajtur dhe trashëguar identitetin e tyre kulturor dhe gjuhësor. Fundja Fan Noli dhe Faik Konica e flisnin pastër gjuhën e tyre…

Te nderuar miq e mikesha, ju informoj se profili ne foton bashkelidhur ketij statusi, eshte profil fallco i hapur nga nj...
17/09/2024

Te nderuar miq e mikesha, ju informoj se profili ne foton bashkelidhur ketij statusi, eshte profil fallco i hapur nga njerez te paautorizuar e te panjohur dhe nuk ka lidhje me profilin tim apo me mua personalisht.

Komunikimet tona vijojne normalisht tek profili im zyrtar.

Faleminderit!
E.S

03/10/2023
17/09/2023

Nga gjithë të paaftët, më fatkeqët janë ata që merren me gazetari dhe krijimtari.

11/01/2023

Nga Engjëll SERJANI..“CLLD-CulTour” – projekti i 15 mrekullive monumentale të Dropullit. Projekti i përbashkët shqiptaro-grek i fokusuar në zhvillimin e turizmit kulturor lokal që synon rritj…

Nga Engjëll SERJANI..“CLLD-CulTour” - projekti i 15 mrekullive monumentale të Dropullit.Projekti i përbashkët shqiptaro-...
11/01/2023

Nga Engjëll SERJANI..
“CLLD-CulTour” - projekti i 15 mrekullive monumentale të Dropullit.

Projekti i përbashkët shqiptaro-grek i fokusuar në zhvillimin e turizmit kulturor lokal që synon rritjen e të ardhurave nga turizmi për banorët e bashkisë së Dropullit në qarkun e Gjirokastrës, ka arritur një progres realizimin e objektivave të tij, duke evidentuar 15 mrekulli arkitekturore nga 40 monumentet e kulturës së kësaj komune në listën kombëtare të objekteve të shpallura “monument kulture” mbrojtur nga shteti. “Community-led Local Development of Cultural Tourism in Greece and Albania”, projekt i akronuar “CLLD-CulTour” financohet nga fondet e Bashkimit Evropian në kuadrin e programit “Interreg Greece-Albania 2014-2020”.
Koordinatorja e projektit Amalia Milou, sqaron se “CLLD-CulTour” synon të realizojë një partneritet shqiptaro-grek për zhvillimin e turizmit kulturor duke propozuar një metodologji të re të përshtatur për komunitetet në zonat ndërkufitare. Objektivi kryesor i përbashkët, sipas koordinatores, është që të inicojë formimin e grupeve ndërkufitare të veprimit, të afta për zhvillimin e produkteve inovative të turizmit kulturor.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Dropull Dhimitër Tolis, sqaron se: “Rajonet ndërkufitare të Shqipërisë së Jugut dhe Greqisë së Veriut, ruajnë në gjirin e vet gjurmë të vlerave kulturore nga të gjitha periudhat historike të zhvillimit njerëzor, nga antikiteti deri në ditët tona. Prandaj grupi i partneritetit është angazhuar në aplikimin e disa praktikave dhe mjeteve inovative dixhitale orjentuese, si dhe në ngritjen e një qendre muzeale, ekspozuese e informative për t’u ofruar turistëve mundësi njohjeje dhe përjetimi”,
Menaxhimi dhe koordinimi i këtij projekti, është duke u implementuar në pesë faza. Aktualisht kanë përfunduar aktivitetet e projektit deri në realizimin e paketës së trete që ka të bëjë me hartezimin e burimeve kulturore të zonës së Dropullit, duke u përqëndruar në studimin e 15 atraksioneve turistike të kësaj bashkie që përshkojnë zonën dhe rrugën ndërkufitare shqiptaro-greke të turizmit kulturor.
Paketa e katërt dhe e pestë, thotë koordinatorja Amalia Millou, kanë të bëjë me nevojat për trajnim e personave që merren me turizmin kulturor me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe me ngritjen e qendrës muzeale. informuese dhe promovuese të atraksioneve kulturore të Dropullit. Kësisoj 15 “mrekullitë monumentale” të Bashkisë së Dropullit të marra në studim nga ky projekt janë si më poshtë:
1.Rrënojat e Teatrit dhe Sitit Arkeologjik të Adrianopolit në Sofratikë, një kompleks i shpallur “park arkeologjik kombëtar” nga Ministria e Kulturës dhe e mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Ky është objekti kulturor më më i madh dhe më i hershëm i zonës dhe ndodhet në fushën e Sofratikës rreth 500 metra në lindje të autostradës Gjirokastër-Janinë. Teatri ka një dimetër prej 50 m dhe një kapacitet prej rreth 4000 njerëz. Ky teatër është shembulli i vetëm në Ballkan i një teatri të ndërtuar në fushë të hapur. Sipas arkeologëve ky teatër besohet të jetë ndërtuar nga Perandori Romak Adrian (117-138 pas Krishtit). Adrianopolis, është themeluar për të kontrolluar, menaxhuar dhe shfrytëzuar vendbanimet e luginës shumë të begatë të Lumit Drino. Teatri është zbuluar në mënyrë rastësore nga traktorët bujqësor në vitin 1970 gjatë punimeve për bonifikimin e Fushës së Dropullit .
2.Kisha e Shën Mërisë së Peshkepisë së Sipërme, është objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Kisha e Shën Mërisë së Peshkepisë së Sipërme ndodhet në pjesën jugore të këtij fshati, mbi një kodër që shtrihet deri në shpatet e malit të Buretos. Kisha është e modelit artikekturor në formë kryqi me kupolë vendosur mbi çatinë katërkëndore dhe me mbështetëse të brendshme. Kisha përbëhet nga një naos dhe një zonë altari. Kjo kishë është një nga më të rrallat e arkitekturës bizantine dhe artit të mesjetës së hershme. Ndërtimi fillestar i saj daton në vitin 1619 pas Krishtit. Kisha është e arritshme nga rruga automobilistike që të çon në fshatin në Gline e Peshkëpi pranë kufirit shqiptaro- grek.
3.Manastiri i Ravenës dhe Kisha e Shën Mërisë pranë fshatit Goranxi të njësisë administrative të Dropullit të Poshtëm, është objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Manastiri dhe Kisha e Shën Mërisë ndodhet në një pllajë të malit të Gjerë rreth 300 metra mbi fshatin Goranxi. Kisha është pikturuar në vitet 1600 dhe përbëhet nga një naos, një narteks dhe eksonarteks. Ajo është ndërtuar në vitin 1600 nga hieromonku Kristofor dhe këtë e vërteton një mbishkrim i gdhendur në gur ku shkruhet: “Gëzohu, o gëzimi i të Plotfuqishmit, Bijë, Virgjëreshë dhe Nënë, pranoje lutjen nga unë për shërbëtorin tënd jomonastrik Kristofor, që ndërtoi me dëshirë tempullin tënd, vitin e lindjes së Krishtit 1600”. Kisha është e arritshme nga rruga që të çon në fshatin Goranci në të djathtë të rrugës Gjirokastër-Kakavije-Janinë që të çon në pikën e kalimit kufitar të Kakavijes.
4.Kisha e Shën Anës në fshatin Dervician, është një objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Kisha e Shën Anës ndodhet në një pllajë të lartë të Malit të Gjerë, sipër fshatit Dervician në një territor të mbuluar me rrënojat të një vendbanimi më të hershëm. Mendohet që kjo kishë të jetë ndërtuar në shekullin e 16-të. Vitet e fundit besimtarët orthodoks vendas kanë investuar për përmirësimin e rrugës që të çon në këtë monument dhe në sitemimin e një mjedisi pritës për vizitorët. Gjendet në të djathtë të rrugës Gjirokastër-Kakavije-Janinë që të çon në pikën e kalimit kufitar të Kakavijes.
5.Kisha e Shën Mërisë në fshatin Vrahogoranxi, është një objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Kisha e Shën Mërisë ndodhet në qendër të fshatit Vrahogoranxi të krahinës së Rrëzës së Zezë në njësisnë administrative të Dropullit të Poshtëm, shumë pranë rrënojave antike të Melanit. Kisha e Dhën Mërisë e fshatit Vrahogoranxia është një kishëz e vogël, por shumë fantastike e tipit bazilikal me kupolë në qendër. Për ndërtimin e saj, në themele janë përdorur kolona dhe gurë antikë. Kisha e Shën Mërisë së Vrahogoranxsë është unikale edhe për faktin se ajo është pikturuar në vitin 1622 duke u dekoruar nga peneli i piktorit të njohur ikonagrafit me famë Onufër Qiprioti dhe Alivizi. Kisha ndodhet në të majtë të Burimit të Glinës pak metra mbi qendrën e fshatit. Për ta vizituar kalohet përmes Urës së Glinës, monument i përiudhës së Ali Pashë Tepelenës që ndodhet në të majtë të rrugës Gjirokastër-Kakavije-Janinë që të çon në pikën e kalimit kufitar të Kakavijes.
6.Kisha e Shën Mërisë në fshatin Zervat të njësisë administrative të Dropullit të Sipërm, është një objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Kisha e Shën Mërisë ndodhet brenda murit të vorrezave të fshatit Zervat dhe përbëhet nga neosi dhe narteksi. Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë triapsidal me përmasa të brendshme 6,60 x 3,60 m. Kisha e Fjetjes së Shën Mërisë e Zervatit është një nga monumentet më të rëndësishme në Luginën e Drinos pasi i përket periudhës postbizantine dhe është nga objektët më të ruajtura mirë të kësaj periudhe. Ajo ofron vlera të veçanta unikale artistike dhe arkitekturore. Fillimisht është ndërtuar në vitin 1624 dhe është pikturuar në vitin 1653. Kisha ndodhet në një distancë rreth 200-300 metra në të djathtë të rrugës kombëtare Gjirokastër-Kakavie.
7.Kisha e Shën Thanasit në Polican të njësisë administrative të Pogonit, Bashkia Dropull, është një objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Shën Athanasi i Poliçanit nga pikpamja arkitekturore është një kishë orthodokse e përbërë nga naosi dhe narteksi dhe është ndërtuar në vitin 1513 pas Krishtit. Kjo kishë ndodhet më shumë se një orë me makinë nga pika e kalimit kufitar të Kakavijes, por drejt saj mund të shkosh edhe nëpërmjet pikës kufitare të Drimadhës që është vetëm 10 km nga kufiri shqiptaro-grek..
8.Kisha e Shën Parashevisë e fshatit Hllomo të njësisë administrative Pogon të Bashkisë Dropull, është një objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Kisha ka një pamje madhështore, rrethuar me qipariza të lartë të shpallur “monument natyre” dhe përbëhet nga narteksi, naosi dhe hajati. Naosi është i tipit bazilikal së bashku me endonarteksin dhe ka përmasa të brendshme 22,4 x 13,6 m. Kisha e Shën Parashevisë është e ndërtuar në vitin 1855 pas Krishtit. Kjo kishë monumentale ndodhet më shumë se një orë me makinë nga pika e kalimit kufitar të Kakavijes, por drejt saj mund të shkosh edhe nëpërmjet pikës kufitare të Drimadhës që është vetëm 10 km nga kufiri shqiptaro-grek .
9.Kisha e Shën Mërisë e Manastirit të Koshovicë në njësinë administrative të Dropullit të Sipërm në Bashkinë Dropull. është një objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Ajo është një kishë me arkitekturë të tipit në formë kryqi me kupolë triapsidale. Është ndërtuar në vitin 1669 pas Krishtit. Kisha ndodhet 30 minuta larg nga rruga nacionale dhe pika kufitare më e madhe më Greqinë, Pika dhe Dogana e Kakavijes.
10.Kisha e Shën Triadhës e Manastirit të Pepelit ndodhet në njësinë administrative të Dropullit të Sipërm në Bashkinë Dropull. është një objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Manastiri i Pepelit është një nga më të frekuentuarit e Luginës së Drinos në kohën e lulëzimit të vetë. Kisha e Shën Triadhës, që ndodhet brenda këtij manastiri përbëhet nga naosi dhe narteksi. Naosi ka formë drejtkëndëshe me përmasa të brendshme 7,85 x 5,90 m. Kisha është pikturuar në vitin 1754 nga piktori Adham nga Theotoqi. Në gjendjen e sotme aty ka mbetur vetëm kisha dhe disa objekte shërbimi të rrënuara. Manastiri 700-vjeçar i Pepelit mbahet mend nga vendasit si vendi i shërimit dhe përtëritjes të të sëmurëve mendorë, si vendi i organizimit të panairit bujqësor dhe blektoral të Shëntriadhës, dhe si vendi ku organizohet festa më e madhe për besimtarët e krishterë të Dropullit, Vurgut, Pogonit, Gjirokastrës dhe Janinës. Manastiri i Pepelit ishte edhe streha e vetme ku mbaheshin dhe rriteshin fëmijët jetimë, të braktisur dhe fëmijë të lindur nga marrëdhënie jashtëmartesore. Manastiri i Pepelit, sipas tregimeve të vendasve, për shërimin e të sëmurëve ka pasur 40 dhoma, në të cilat njerëzit që kërkonin shërim qëndronin rreth 40 ditë. Kjo ishte koha gjatë së cilës ata kryenin rite dhe lutjet që u rekomandonin kallojerët (murgjit). Manastiri ka pasur mjaft prona, si toka bujqësore, kullota, kope me bagëti të imta, lopë, bletë etj. Manastiri i Pepelit ndodhet 20 minuta larg nga rruga nacionale e pika e kalimit kufitar e Kakavijes.
11.Manastiri i Shën Qirjakos dhe Julitës në Dhuvjan të njësisë administrative të Dropullit të Poshtëm, është një objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Manastiri i Shën Qirjakos dhe Julitës ndodhet në një pllajë të Malit të Gjerë sipër fshatit Dhuvjan. Kisha e këtij manastiri përbën qendrën kompozicionale të manastirit, është në gjendje të mirë, ka një përbërje shumë kompakte dhe të rregullt. Kisha, është e rrethuar ngushtë nga rrënojat e ndërtesave të manastirit dhe përbëhet nga neosi, narteksi dhe hajati. Kisha është ndërtuar në vitin 1588 dhe ka shërbyer edhe si vendi i shkollës së parë në gjuhën greke për vajzat e fshatarve në këtë krahinë. Manastiri dhe kisha ndodhen në rrugën e lashtë nga kalonin karvanet që udhëtonin nga në drejtimin Gjirokastër-Delvinë-Sarandë. Monumenti ndodhet rreth 30 minuta larg me makinë duke hyrë në të djathtë të rrugës kombëtare Gjirokastër-Kakavijë.
12.Manastiri Ungjilltar i Vanistrës në njësinë administrative të Dropullit të Poshtëm, është një objekt kulti i besimit orthodoks, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Ky manastir është i ndërtuar në një truall midis dy tarracave të shpatit të Malit të Gjerë dhe është i rrethuar me mure të lartë guri. Ai rrethohet nga disa ndërtesa si Kisha Ungjilltare që ndodhet në qendër të manastirit, bujtinat në anën jugore, ndërtesat ndihmëse në anën veriore dhe kulla me depozitën e ujit pranë këndit veriperëndimor të kishës. Naosi i kishës është i tipit në formë kryqi me kupolë triapsidale me përmasa të brendshme 6,60x3,70 m. Kisha përbëhet nga neosi i cili është ndërtuar në vitin 1582 dhe narteksi i pikturuar në vitin 1617 nga piktori Mihali nga Linotopi. Manastiri vizitohet mjaft shpesh nga banorët vendas, nga besimtarë të Luginës dhe vizitorë të huaj, kryesisht më 25 mars kur festohet festa e tij dhe më 15 gusht kur festohet edhe dita e ndërtimit të manastirit. Manastiri dhe Kisha Ungjilltare e Vanistrës ndodhet në të djathtë të rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavije, rreth një orë më këmbë larg fshatit.
13.Ura e Gurte me Qemer e fshatit Haskovë, është një objekt arkitekturor, shpallur “monument kulture” dhe mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Ura e Haskovës është e ndërtuar në hyrje të fshatit Haskovë mbi shtratin e një përroi aktualisht të thatë. Ura është në formë gunge dhe përbëhet nga dy harqe me përmasa 6,4 dhe 7,8 m, të ndërtuar me gurë dhe pllaka gëlqerore. Ura e Haskovës është ndërtuar në përiudhën e qeverisjes nga Ali Pashë Tepelena dhe është një nga urat më të bukura historike të Luginës së Drinos, e cila së shpejti do t'i nënshtrohet edhe një restaurimi. Ajo ndodhet në njësinë administrative të Dropullin e Poshtëm dhe është monument kulture i kategorisë së parë. Vendi ku ngrihet ky monument është lehtësisht i arritshëm pasi është vetëm 200 metra larg në të djathtë të autostradës Gjirokastër-Kakavije-Janinë.
13.Varri Monumental i Jorgucatit, është një objekt arkitekturor, shpallur i shpallur “monument kulture” dhe i mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Monumenti me gurë paralelopipedi të përmasave “qikllopike” ruan ende shenjat e dekorimi parietal me ngjyrë të kuqe në hyrje dhe me disa fragmente të tjera murale. Ndërkohë varri është mbuluar me një pllakë superiore me ngjyrë të bardhë. Planimetria e tij ka formë katërkëndëshe me përmasa 9,30x4,80 m. Ky varr është zbuluar për herë të parë në vitin 2002 gjatë punimeve të ndërtimit të autostradës së re Gjirokastër-Kakavi. Sipas mediave vendase, në të njëjtin vend u zbukuan nga punimet dy varre monumentale me një dhomë, por njeri prej tyre u shkatërrua plotësisht nga punimet. Ka informacione mediatike që gjatë punimeve është zbuluar një inventar objektesh brenda një varri tjetër të periudhës romake. Sipas arkeologëve ky monument i mbetur daton rreth shekullit IV p.e.s. Vendndodhja e kësaj pike me interes për turistët dhe vizitorët është lehtësisht e arritshme pasi monumenti ndodhet në anën e majtë të rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavije-Janinë, rreth 800 metra në verilindje të fshatit Jorgucat dhe rreth 300 larg kryqëzimit të rrugës së Qafës së Muzinës.
15.Kroi Monumental me Kupolë i Selckës në krahinës së Lunxhërisë, pjesë e njësisë administrative Pogon të Bashkisë Dropull, është një objekt arkitekturor unikal, shpallur i shpallur “monument kulture” dhe i mbrojtur nga Qeveria Shqiptare. Ekspertët e monumenteve të kulturës e konsiderojnë si monument unikal, për vetë tipologjinë dhe teknika ndërtimore. Kupola e Kroi është prej guri e lidhur me llaç gëlqereje dhe me shirita druri antisismik të cilët vendosen brenda dhe lidhin pjesën e jashtme me murin e brendshëm. Monumenti i kategorisë së parë, është ndërtuar nga mjeshtrat lunxhiotë të krojeve dhe ujsjellsave në 1822, kohë kur zona ishte nën administrimin e Ali Pashë Tepelenës. Gryka e Selckës është shtegu i vetëm për të udhëtuar nga Lugina e Drinos në krahinat malore të Pogonit e Zagorisë. Monumenti ndodhet në qendër të fshatit rreth 20 km në të majtë të rrugës automobilistike Gjirokastër-Kakavije-Janinë,
Përfundimi: krijimi i një qëndre ekspozitash për turizmin kulturor e fetar në Dropull
Përfundimisht projekti i përbashkët ndërkufitar “CLLD-CulTour” është i angazhuar në evidentimin e monumenteve kulturore më të spikatura të Bashkisë Dropull, në formimin e grupeve lokale të veprimit të përbërë nga aktorë të sektorit publik dhe privat që bashkë-hartojnë dhe zbatojnë plane zhvillimi, në balancimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm rajonal, bashkëpunimin ndërkufitar dhe menaxhimin më të mirë të burimet kulturore dhe natyrore. Kryetari i Bashkisë Dropull Dhimitër Tolis nënvizon se. “Në kuadër të këtij projekti jemi duke ngritur në Goranxi një qëndre ekspozitash për të promovuar monumentet e turizmit kulturor dhe fetar, e cila shërben si një portë hyrëse për turistët, ndërtimin e një info-point për vizitorët e shumtë, vetë banorët e sidomos të rinjtë që duan të mësojnë më shumë mbi traditën kulturore e fetare duke ndukuar që ata vetë ta ruajnë e ta mbajnë gjallë atë”. Qëndra, sipas kryebashkiakut Tolis, është konceptuar si muze, me një shtrirje kohore nga periudha antike deri në atë post-bizantine.

"CLLD-CulTour” projekt për turizmin kulturor lokal në interes të komuniteve lokale. Nga Megi Loloçi.Një projekt europian...
31/12/2022

"CLLD-CulTour” projekt për turizmin kulturor lokal në interes të komuniteve lokale.

Nga Megi Loloçi.

Një projekt europian i përbashkët shqiptaro-grek, fokusuar në zhvillimin e turizmit kulturor lokal me synimin e rritjes së të ardhurave për komunitet lokale ndërkufitare ka nisur të shfaqë përfitimet e para për banorët e bashkisë së Dropullit në qarkun e Gjirokastrës. Projekti “Community-led Local Development of Cultural Tourism in Greece and Albania”, akronuar “ CLLD-CulTour” është një projekt ndërkufitar i mundësuar nga fondet e Bashkimit Evropian në kuadrin e programit “Interreg Greece-Albania 2014-2020”.
Sipas koordinatores se projektit Amalia Millou, objektivi kryesor i përbashkët i “CLLD-CulTour” është që të inicojë formimin e grupeve ndërkufitare të veprimit, të afta për zhvillimin e produkteve inovative të turizmit kulturor. “Duke e konsideruar rajonin ndërkufitar të Shqipërisë së Jugut dhe Greqisë së veriut si një territor që ruan në gjirin e vet gjurmë të vlerave kulturore nga të gjitha periudhat historike të zhvillimit njerëzor nga antikiteti deri në ditët tonas, grupi i partneritetit është angazhuar në aplikimin e disa mjeteve inovative dixhitale orjentuese dhe në ngritjen e disa qendrave ekspozuese informative për t’u ofruar turistëve mundësi njohjeje dhe përjetimi”.
Projekti përfshin në ofertën turistike të këtij rajoni pasurinë kulturore të siteve arkeologjike antike dhe objekteve fetare të përiudhës bizantine dhe postbizantine, si pjesë e djepit kulturor evropian duke aplikuar mënyra bashkohore inovative si aplikacioni digital I cili perfshin 15 monumente dhe objekte kulti , si dhe 3 itenerare te truizmit ne Dropull , lehtësisht dhe praktik për përdorim nga turistët.
Në bashkëpunim edhe me strukturat e turizmit dhe trashëgimisë kulturore të bashkisë së Dropullit grupi koordinues i projektit është duke punuar për modelimin e një qendre ekspozuese në mjediset e ish-shkollës së Goranxisë e cila do të ofrojë për turistët informacion të plotë për monumentet e kulturës, vlerat që përfaqësojnë, vendodhjen dhe mundësinë për të përjetoar në mënyrë të drejtpërdrejtë këto thesare kulturore historike të Luginës së Drinos.
Projekti “CLLD-CulTour” synon gjithashtu të afrojë dhe aktivizojë një partneritet dobiprurës me komunitetin e banorëve, duke propozuar një metodologji të re bashkëpunimi për mbështetjen e turizmit kulturor duke ndërtuar një infrastukturë turistike që lehtëson informimin, orjentimin, akomodimin, lëvizjen dhe argëtimin e turistëve që vizitojnë këto zona. “Komunitetet lokale nëpërmjet rritjes së të ardhurave nga turizmi kanë përfituesit kryesor prandaj tërheqja e tyre në investime që ndikojnë në përshtatjen e zonës lokale për një turizëm të zhvilluar dhe të qëndrushëm, është më shumë interes”, thotë keshilltarja e projektit Ilda Mara. Aktivizimi i banorëve dhe grupeve lokale të veprimit të përbërë nga aktorë të sektorit publik dhe privat, sipas koordinatores ka interes për bashkëveprimin në hartimin dhe zbatimin e planeve vendore për zhvillimin turistik.
Partneriteti në implementimin e “CLLD-CulTour” është shumë i gjerë dhe përfshin shumë aktirësi bashkia Zitsanë Greqi, (me buxhet përfitues prej 206,685 €), Rajoni i Epirit, Njësia Rajonale Thesproti, (me buxhet përfitues prej 176,305 €), Këshilli i Qarkut Korçë, (me buxhet perfitues prej 164,350 €) dhe Bashkia Dropull, (me buxhet përfitues prej 138,485 €).

Address

Gjirokastër
6001

Alerts

Be the first to know and let us send you an email when Antigonea News posts news and promotions. Your email address will not be used for any other purpose, and you can unsubscribe at any time.

Contact The Business

Send a message to Antigonea News:

Videos

Share