09/03/2022
Kosova lidh marrëveshje ushtarake me Turqinë dhe Poloninë.
Pas sinjaleve që dha presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan për mbështetjen e vendit të tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO, vendi ynë ka bërë lëvizjet e para.
Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes për “Statusin e Forcave” (SOFA) ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj thotë se një marrëveshje e tillë ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës dhe ndërveprimin e tyre me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s.
“Marrë në konsideratë raportet bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe shteteve mike si dhe vullnetin e përbashkët të FSK-së që të jetë pjesë aktive ushtarake krah vendeve partnere, kemi marrë iniciativën për të lidhur marrëveshje me Republikën e Turqisë”, deklaroi Mehaj, përcjell Gazeta Dokumenti
Është miratuar edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes teknike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Polonisë që i lejon FSK-së të zbarkojë në Poloni me qëllim që të merr pjesë në operacionin “Atlantic Resolve” bashkë me Gardën e shtetit amerikan të Iowa-s.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka theksuar se edhe kjo nismë është ka për qëllim rritjen, zgjerimin dhe avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes shteteve anëtare të NATO-s.