08/04/2022
Nga të parat këngëtare të muzikës tonë burimore, jo vetëm në Ferizaj por edhe me gjërë, është e shumëshpërblyera, zëri i veçantë melodioz, bashkëqytetarja jonë me epitetin “Fatime Sokoli e Kosovës”, ferizajasja Fetije Tërstena.
Karriera e zonjës Tërstena nisi që në klasën e dytë të shkollës fillore, ku talentin e saj e zbuloi mësuesja Lajde Kurti e cila e regjistroi edhe në Korin e Shkollës, angazhim që e vijoi deri në klasën e tetë të këtij cikli shkollor, për të vijuar me pjesëmarrje në programacionet komunale, krahinore e republikane të kohës, çka i dha hapat e parë të një zhvillimi të hovshëm artistik, që u formësua edhe më, me grupin folklorik të Shkollës së Mesme Teknike, gjersa rrugëtimin e saj, zonja Fetije e vijoi me koncertin e parë kushtuar mërgimtarëve tanë, pas regjistrimit të saj në Shoqërinë Kulturore “Kastriotët” më 1982.
Më 1983, ishte Komisioni i ardhur nga Radio Televizioni i Prishtinës, kryesuar nga etnomuzikologu Bahtir Sheholli, regjisori Nuhi Matoshi dhe Mehdi Bajri, nga ku zonja Fetije fitoi audicionin për të marr pjesë në Revistën e Folklorit Burimor – Gllogovci më 1983 e që po kështu, me interpretimin e saj juria profesionale i dha vendin e parë e gjithashtu edhe epitetin “Fatime Sokoli e Kosovës”. Në nëntor të 1983, zonja Fetije mori pjesë në Festivalin “Kosovarja Këndon” ku u shpërblye si debutantja më e mirë, gjersa më 1984 në po këtë festival zuri vendin e tretë. Rrugëtimi i saj artistik u shpërblye edhe në Festivalin e organizuar në Prizren më 1996, për të pauzuar për një kohë, e që në 50 vjetorin e AKKV “Kastriotët”, me ftesën e këtyre të fundit, iu rikthye skenës më 2019, për t’u shpërblyer sërish nga ky festival.
Edhe Festivali Folklorik Gjithëkombëtar “Rapsodia Shqiptare” në Skënderaj i akordoi shpërblimin me vendin e tretë, kurse më 2021 në Festivalin “Flakadani i Karadakut” u shpërblye me vendin e parë si soliste, vlera këto të mirënjohura e të çmuara gjerësisht.