07/01/2024
Shuhet në moshën 88 vjeçare shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare!
Zemra e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare u ndal mëngjesin e sotëm në banesën e tij në Tiranë në moshën 88 vjeçare. Por të qenit shkrimtar i madh i ka siguruar atij pavdekësinë.
Letërsia shqiptare në zi. Zemra e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare u ndal mëngjesin e sotëm (1 korrik 2024) në banesën e tij në Tiranë në moshën 88 vjeçare por letëria e tij do të mbetet e pavdekshme.
Shkrimtari më në zë shqiptar, brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë me librat e tij u dha mundësinë shqiptarëve të mendonin dhe ëndrronin perëndimin, përtej kufirit dhe errësirës së diktaturës. Ndërsa botën e njohu me Shqipërinë, shtetin me popull me traditat dhe kulturë europiane por që ishte izoluar nga diktatura komuniste dhe ishte lënë jashtë nga Europa.
Burime për Shqiptarja.com nga QSUT bëjnë me dije se familjarët kanë njoftuar urgjencën orët e para të mëngjesit, por shkrimtari nuk është shpëtuar dot.
”Ai mbërriti atje pa shenja jete, mjekët i bënë një masazh kardiak, por ai vdiq rreth orës 08:40”, tha spitali.
"Sot, më datë 1 korrik, 2024, në orën 08:50, ndërroi jetë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shkrimtari i madh Ismail Kadare. Për ceremoninë e përcjelljes do t’ju njoftojmë në një çast të dytë' shkruhet në një postim në facebook të shtëpisë botuese "Onufri' e cila ka të drejtat ekskluzive të veprave të Kadaresë.
Etnograf sarkastik, romancier duke alternuar groteskun dhe epikën, IsmaIl Kadare eksploroi mitet dhe historinë e vendit të tij, për të zbërthyer mekanizmat e një të keqeje universale, totalitarizmit.
“Ferri komunist, si çdo ferr tjetër, është mbytës”, i tha shkrimtari AFP-së, në një nga intervistat e tij të fundit, në tetor 2023.
"Kam qenë në një periudhë shumë të vështirë, shumë delikate, shumë të rëndë dhe në njëfarë mënyre do të thosha misterioze... Tani, edhe kur e mendoj tani, më duket gjë disi e pabesueshme. Si i paskam jetuar unë ato? Si i kam kapërcyer ose si janë kapërcyer ato ngjarje? Gratë e udhëheqësve luanin një rol shumë negativ në të gjitha këto zhvillime. Me anën e tyre kryheshin intriga private, personale, të fshehura, misterioze, që nuk ua kuptoje dot ku e kishin qëllimin dhe pse bëheshin" tha Kadare në intervistën e fundit për medien, në dhjetor 2023.
Ishte në Bunk'Art1 ku u dha premiera e filmit "Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur" të regjisorit Luciano Tovoli. Filmi u shfaq për herë të parë për publikun shqiptar pas 40 vjetësh kur dha dhe intervistën për gazetaren e Report Tv, Admirina Peçi.
Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill në moshë të hershme. Në moshën 11 vjeçare lexoi Tragjedinë "Makbeth' të Shekspirit dhe i ndryshoi jetën megjithëse në atë moshë nuk kuptonte gjithçka. E donte kaq shumë sa filloi ta kopjonte në dorë. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi me studime në Moskë për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore "Maksim Gorki" (1958-1960)
Në vitin 1963 botoi romanin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Libri u përkthye në 33 gjuhë të botës dhe i dha autorit njohje ndërkombëtare.Romani vlerësua nga gazeta e njohur e Parisit Le Monde si një ndër 100 librat e shekullit XX.
Më pas erdhi romani “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës. Një tjetër roman i vlerësuar ishte “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërprera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë.
Përpara se në Shqipëri të vendosej pluralizmi politik, pas protestave të studentëve në dhjetor 1990, zoti Kadare udhëtoi me avion drejt Francës, ku kërkoi azil politik. Ai jetoi në Paris, u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike, ndërsa vitet e fundit u rikthye në Tiranë.
Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës.
Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.Shpesh emri i tij u përfol për si një ndër konkurentët për marrjen e Çmimit Nobel për Letërsinë por nuk e fitoi.
Në vitin 2005 fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Man Booker Prize” ndërkohë ishte kandidat pretendent edhe për vitin 2024 me librin “Kur sunduesit grinden” i cili u vlerësua si një “meditim letrar magjepsës mbi Rusinë Sovjetike, autoritarizmin, strukturat e pushtetit në një periudhë shkrimtarësh të mëdhenj”.
Në 20 tetor 2009 Ismail Kadare u bë i pari shkrimtar shqiptar që fiton çmimin "Princi i Asturias për Letërsinë". Në 2019 fitoi çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Neustadt, që njihet edhe si Nobeli Amerikan, ndërsa vitin e kaluar (17 tetor 2023) shkrimtarit të madh shqiptar iu dha titulli i Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit, nga Presidenti francez Emmanuel Macron.
Vepra e tij do të mbetet e pavdekshe
Letërsia më dha gjithçka që kam sot, ishte kuptimi i jetës sime, më dha kurajën për të rezistuar, lumturinë, shpresën për të kapërcyer gjithçka”, tha ai në një intervistë për AFP-në