18/12/2023
"O sa keq po bëhet
plaga e përjetshme,kurbeti,
bëri gjakun ujë aeroporteve të botës"
E NDIEJ SE PO BËHET KEQ
Jam keq shoku im,
që nga hapat e para
në muzgun gri.
Trishtimi im ngec në kujtesë,
ankthi m’i varrosi gëzimet
e lojërat e fëmijërisë
i mbuloi harresa si më keq.
Vështirë marr frymë,
kur kujtoj lojën symbyllasi,
lojën me top, aty prapa "Domit".
Varros në heshtje fëmijërinë,
ty te Kodra e Kuqe
ku rrugët I kanë mbuluar ferrat.
Në Pashina, buzë Drinit të Zi
hidheshim kryehutas,
te Meraja, ku luanim koçkas.
Jam keq veleshtari im,
rrapeve u kanë ngulur një gozhdë të ndryshkur
m'u në palcë.
Keq e më keq bëhet miku im poet,
aty në vakufe
“s’të le, nardeni të hash pekmez”.
O sa keq po bëhet
plaga e përjetshme,kurbeti,
bëri gjakun ujë aeroporteve të botës.
Vërtet jam keq veleshtari im,
Se qytetit të ujtë I ra rrufeja.
Në mes të ditës
I ra në qaf Gogozheli!
Na futën ujin nën hasër.
Keq jam poet!
E di kur ti i numëron yjet,
e di se të shqetëson shkolla pa fëmijë
klasat kanë mbetur bosh.
Jam keq motër
se Pilaveci s’ka aheng
më mbyti malli për tingujt e pizgës së Zizit
për lodrën e Tish*t
për letërkëmbimet e dashnisë sekrete të Diles
e vaji I saj me dajre
Jam shumë keq veleshtari im
kur dal te Rrapi dhe s’e gjej dot
një burrë kësulëbardhë si bora në mal.
Rrapet varin degët për mallin e kurbetqarëve,
kur ky vend mbetet bosh...
Mendja merr arratinë nga trishtimi.
Veleshtari im
këtu në këtë shtet lolo, të than hënë
ditë për ditë e nat` për natë
S’dëgjoj dot në kor zëra fëmijësh
arat mbetën djerrina!
Plugu mbeti në arë, nga gjaku ynë I sertë
bëj durim e nuk duroj dot,
Se Dita e Verës s’bie zogj.
Zogjtë rriten diku larg
s’cicërojnë shqip “Kukureku roj rumi sojt e moj"
se dita e Eremisë rri varur në kalendar
Oborret mbushur janë me bolla e gjarprinj.
I vogli atdhe do të na mallkojë.
E mëkatet s’do të na i laj as Drini
O zot!
Sy kemi e dritë s’na bëjnë
veleshtari im.
Në duart tona sfilitet shpresa,
të gjithë po ikin.
Trishtimi, si çarçaf i zi
po mbulon shpirtin tim
e unë ndiej se po bëhet keq!!!
Xheladin Muça-poet