21/11/2024
“O Moj Shqypni…” 🇦🇱 Pashko Vasa
…Shqyptar', me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:"jam turk", tjetri:"latin"
Do thonë: "Jam grek", "shkje"-disa tjerë,
Por jemi vllazën t'gjith more t'mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t'fitoni,
Besën e t'parëve t'gjith e harroni…