28/08/2024
REPORTAZHI NË DARDANI, ATJE NË NIKAJ - MERTUR !
, Frrok VUKAJ
(25 gusht 2024)
Prej disa vitesh e kisha për shumë dëshirë një vizitë në Palç-Salcë e Brisë.
Pas një gjallërie modeste të këtyre ditëve, lashë, pothuajse në heshtje lagjen time në Shëngjergj e zbrita tek Ura e Tetajve për t’u takuar me Sokol Pjetër Musën, sipas planifikimit që kishim bërë qysh muajin e kaluar: ai për një udhëtim pune -ndonëse ditë e dielë- e unë për nostalgji e mall…
Në ato pak minuta pritje, edhe një herë kalova në mendje e kujtova atë ndërtim të ri në lagjen time, nga familja e Gjokë Vukajt, i filluar prej më se një viti, që është drejt përfundimit.
Shumëkush ka kontribuar për këtw vilë me hapësirat përkatëse: lulishte, pishinë, linjë elektike, hapjen e rrugës së re, etj. aksesorë, ku duhet veçuar edhe shpimi me sondë e nxjerrja e ujit që i tejkalon edhe nevojat më të domosdoshme.
Mund të përmendim shumë emra, por duhet veçuar Olsi Vukaj, me një moshë relativisht të re, që u qëndroi pranë punimeve, me ditë e orë të zgjatura, deri pothujse në finalizimin e tyre.
…Tek Ura e Mserrit na shoqëroi elektricisti tjetër Zef Martin Pali e vazhduam rrugën për në Salcë. Asnjeri, madje as bagëti, nuk pamë askund, në asnjë rrugë, as në arat e pakta, as në livadhet e djegura apo të thara nga vapa përvëluese ose dora e njeriut. Si dikur lundërtarët e deteve të paana, kur zbulonin toka të reja, na u duk Lagja Planas, ku po punonin disa punëtorë ndërtimi. Edhe një tufëz e vogël me bagëti të imta-si një zbulim shpresëdhënës.
Na u ngroh zemra e u befasuam, kur pamë atë Kompleks gjigand të ndërtuar në trojet e Ndue Nikë Prognit, atë rrugë të përpjetë e të vështirë drejt bjeshkëve përrallore, drejt lartësive me pengesa të mëdha natyrore e fatkeqësisht disa njerëzore. Nuk e pashë, por e përfytyrova Sokol Ndue Prognin si një hero e mbi hero të pamposhtur, si një Sizif, sa mitologjik aq edhe njerëzor, që nuk mposhtet në misionin e kontributin e tij, i ndihmuar me vlera materiale, monetare e morale nga salcnorët e dijes e të punës me pasion, të traditës e të qytetërimit, që kanë dhënë aq shumë për shoqërinë.
Interesant, i veçantë e original Memoriali tjetër në një vend të dukshëm, në B**a, në Kodër Shën-Mhill, që të frymëzon për projektin e realizimin e tij funksional e estetik, ku dikur kalonin me vështirësi e rreziqe jete edhe këmbësorët e zakonshëm.
Ndonëse në proces pune ndërtuese, një pritje e ngrohtë e vëllazërore, e shtruar e pa ngutje, tek Gjokë Pal Progni e biseda shqetësuese për vizionin e të ardhmen e krahinës.
Një vizitë në atë lagje të bukur, sikur je pas një ëndërre, kur fërkon sytë e krahason dy “epoka” me dilema e zhgënjime. Nuk dallohen mirë as themelet e të ashtuquajtura social-ekonomike, por as shkolla e dikurshme me emrat e të ndjerëve, që nuk harrohen për kontributin e shquar: Zef Doda, Nikollë Lushi, Ndue Gjeloshi etj.
I shoqëruar nga Gjoka, një vizitë tek Kulla e përmendur e T**h Balës, e cila po rikonstruktohet nga pinjollët e Kolë e Pjetër Palit, që ruajtën e ripërtërinë traditat e shquara të këtyre trojeve.
Nga Kodra e famshme e Palçit, ku u sprapsën me turp ushtritë e Turgut Pashës, shquhen si në pëllëmbë të dorës Salca e Brica, Agri e Vozi, hapësirat e ngushticat e mistershme në të dy anët e Drinit, që heshtin, por edhe ca zëra e indicie, që prishin qetësinë e frikëshme të maleve epike, me sakrifica e qëndresë shekullore për identitet e shqiptari.
…Në këtë rrugëkalim, çdo kujt i bie në sy në atë krye Palç, një ndërtim multifunksional shumë i bukur, i ndërtuar nga vëllezërit Malaj, në trojet e një Kulle të hershme, e përmendur për pritje e bujari, për tradita të mira e zemërgjerësi.
Kur po udhëtonim nga Kulla e Antenave, më shpjeguan edhe për linjën e re elektrike të ndërtuar me kontribut privat nga Besim Malaj, por edhe për një përpjekje në konkretizim e sipër nga Afrim Gjergji, për të lidhur me energji elektrike biznesin e tij në Bjeshkën e lartë: në të dyja rastet kjo është në shërbim të komunitetit pa asnjë detyrim. Siç më thanë, Besimi ka ndërtuar edhe një stallë e mbarështon një tufë bagëtishë me mbi 100 kokë.
Kur elektricistët do të vazhdonin punën për në Mserr, unë shfrytëzova rastin për një vizitë në Lagjen Bushat, pothuajse i pabanuar. Nuk mund të shpjegoj atë ndjesi, që krijojnë vitet e shkëputjes nga ajo kohë, kur pata punuar në këto fshatra me shumë virtyte e me po aq vështirësi jetese. Ndonëse rrugët kanë humbur e mbuluar nga rritja e pyjeve, së pari, zbrita në trojet e përmendura të Hajdar e Kolë Tahiri, ku ka qenë e martuar edhe tezja ime.
Solla ndërmend e jo pa nostalgji pritjet e kujtimet me miq e shokë, që jetojnë apo i kujtojmë; për ish nxënës e kolegë pune që i nderojmë me respekt. Mes këtyre pamjeve piktoreske, rrethuar nga pylli që po avancon me shpejtësi, pashë edhe një ndërtim interesant me një projekt original, që të ngjallë emocion, me pronar e vetëndërtues Ilir Bushatin; në arat e kthyera në livadhe një kopsht goxha i madhe me koshere bletësh. E mora në telefon, e, ndërkohë që ai më falënderonte për këtë vizitë, unë rikujtoja me admirim ish nxënësin tim energjik çapkën, që na mirëkuptonte edhe kritikat tona qellimmira. Patjetër se u përshëndeta edhe me mikun e kolegun tim, Prekë Bushati, duke i realizuar edhe dëshirën për disa foto aktuale të shtepisë dhe jo vetëm.
…Ndërkohë më rishfaqet një oaz i bukur, Paplekajt e Epër, një ndër banimet më të hershme të Nikaj-Mërturit, ku shquhet dukshem kulla e hershme e Miter Kolës, por dhe të tjera ndërtime më të vonshme. Më vinë në mendje emra të njohur të kësaj dinastie, që kontriboi aq shumë për artin dhe kulturën e në veçanti për folklorin: Mitri, Marku, Lazri, Sokoli, Syku, Sykjana, Gofilja dhe Valbona.
Si me porosi, mbas kësaj vizite emocionuese, takohem me Sokolin në kthesen e Bushatit. Në një rrafsh mes livadhesh e masivit me gështënja, një vilë tjetër e ndërtuar nga vëllezrit Rosaj (Biba e Pali).
Duke zbritur teposhtë, pashë dhe u ngazëlleva edhe për disa insiativa e pune private të kohëve të fundit, në vazhdim apo të reja: për rrugën Curraj Poshter, një segment Ura e Mërturit- Shëngjergj, rruga për në Qehajaj, për Markaj e Rrucaj, për rikonstruksione e ndërtime të reja (bujtina apo banesa).
Unë e dija se do të puqeshin mendimet e dëshirat tona për një vizitë në Qehajaj, po edhe për të parë një rrugë të re makine, që lidhë ketë lagje me aksin kryesor, iniciator, kontributor e realizues i së cilës është vëllai i Sokolit, Gjin Pjeter Musa, emigrant prej vitesh në Gjermani. Zemërgjersia e lidhjet shpirtërore me vendlindjen na kanë dhuruar një vepër, që do të ruhet e kujtohet gjatë, e cila meriton mirnjohje.
Kjo vizita e fundit, si i thonë, ishte qershia mbi tortë, në këtë fshat që shquhet për mikpritje që i ka hije, për biseda të mençura e humor me fines. Ja edhe një gjest tjetër domethënës: Sokoli me gjithë kundërshtimet e mia, më përcolli nga rruga e re deri tek rruga tjeter afër shtëpisë sime; çdokush ka përfitim, kur ndërtojmë ura komunikimi e rrugë të reja
Mbeta nga ky udhëtim ditore më shumë me një ndjesi pozitive optimiste për disa arritje që përmenda, por edhe disi i zhgenjyer nga q ndrimet pritëse e luhatjet mes vendlindjes e vendeve ku kanë krijuar një jetes të re, vullnetit e zemërgjërësisë së shumë djemëve tanë për ndryshime kundrejt mendësive e kurrnacllekut egoist të të tjerëve, shpopullimit e lindjeve të pakta, investimeve minimale në bujqësi e blegtori.
Për këto problem të mprehta sociale, secili prej nesh, me frymë atdhetare, duhet të kontribuojë më shumë
Së fundi edhe një pyetje nga një mik, që nuk dita t’i përgjigjem. “Po pushteti qëndror e lokal çfarë përgjegjësie ka; po propaganda zhurmëmadhe në kohë fushatash, mbledhjesh, hapje sezoni turistik etj. ku shkoi. Ku janë premtimet, po fjala e dhënë për rrugë të reja e investime në dobi të komunitetit?!