02/08/2022
Haxhi Hafiz Sabri Koçi (Orenjë, 14 maj 1921 - 18 shkurt 2004)
Ka qenë hoxhë, shejh i tarikatit Tixhani dhe Myftiu i Madh i Shqipërisë pas rënies së komunizmit.
Lindi në Orenjë të Librazhdit, i biri i Idrizit dhe Zejnies. Babai i tij mërgonte me punë drejt Selanikut, ku ndërroi jetë pa u mbushur ende viti i gëzimit të djalit.
Vdekja e babait e bëri që në fëmijëri të hershme të hyjë shpejt në jetë, të mësojë e të përballojë vetë vështirësitë e t'i zgjidhë ato mbarë e mirë, si e lyp e drejta e zakoni i mirë e mësimet fillestare të fesë islame që kishte marrë në shtëpinë e vet, e shquar për tradita fetare.
Një zotëri nga Shkodra, Kryetari i Komunës, Adem Kastrati, duke e parë zgjuarsinë e Sabriut të vogël 10 vjeç, ia mbushi mëndjen nënës Zenjë dhe kushërinjve që ta dërgonte në Shkodër për të mësuar. Dhe kështu i vetëm, në vitin 1932 filloi një jetë plot sakrifica e vështirësi, jeta e shkollës dhe jeta e punës. Djaloshi i vogël me sjelljen e tij, me devotshmërinë e tij, me përkushtim e mençuri, fitoi shpejt respektin e të gjithëve, e posaçërisht të mësuesit të besimit, Hafiz Muhamedit, i cili ishte edhe muezin në xhaminë e Rusit të Vogël. Hafiz Muhamedi, duke admiruar zërin e tij aq të bukur e lejonte të kryente ndonjëherë detyrën e muezinit. Pasi mori mësimet fillestare të fesë, Hafiz Muhamed Kastrati duke parë përparimin e shpejtë të Sabriut në mësime dhe zellin e përpjekjet e tij, u interesua te myderrizi i shquar, Haxhi Muhamed Bekteshi, që ai ta pranonte si nxënës të vetin (telebe). Kështu me ndihmën e pakursyer të Haxhi Muhamed Bektesh*t, i cili e trajton si fëmijën e vet, Sabriu i përkushtohet plotësisht studimeve. Për këtë kohë H. Sabriu thotë: "Me sa mbaj mend unë, kah fundi i vitit tridhjetë Shkodra kishte arritur një zhvillim të madh të fesë ... Në fakt ishte ashtu siç i thonë arabët: "Mehdul el ilmi", djepi i diturisë dh e i kulturës Islame".
Duke folur për punën e mirë që bëhej në Shkodër për përgatitjen e kuadrove të rinj për fenë Islame, H. Sabriu shkruan: " ... janë përgatitur kuadro me njohuri të larta fetare, saqë mund të krahasoheshin me ato që vinin nga tokat arabe".
Shumicën dërmuese të lëndëve i mësoi tek H. Muhamed Bekteshi, ndërsa disa prej tyre, si specialitete të veçanta, si: psh. ligj in mbi trashëgiminë dhe Kiraetin (ilustrimin e Kur'anit) e mësoi te Hafiz Sabri Beg Bushati, ndërsa tefsirin e mësoi tek Sheh Qazim Hoxha në periudhën që ishte në Shkodër.
Mbas 15 vjet punë këmbëngulëse, më në fund arrin të marrë diplomën (ixhazetin) nga Hafiz Muhamed Bekteshi. E përkthyer në gjuhën shqipe, diploma (ixhazeti) ka këtë përmbajtje:
"Kjo është formula e diplomës sime me të cilën vëllain tim Për Zotin, Zotninë tonë Sabri Idriz Koçi, i cili është i pajisun me të gjitha cilësitë e nalta Islame dhe i plotësoi shkëlqyeshëm të gjitha mësimet teologjike të mbështetuna në Kur'anin e Madhnueshëm dhe në Hadithet e Hazreti Muhammedit a.s. të mbështetuna edhe në arsyet mendore filozofike dhe unë nevojtar i varfér tek mëshira e të Madhit ZOT, i quajtur Muhamed Mahmud Beqir Shkodrani (Begteshi).
Hixhri. Data e diplomimit, muaji Rebiul-evel, ditën e enjte 1370