14/03/2023
RITUALET E KREMTIMI TË DITËS SË VERË S NË ÇERMENIKË
Parapërgatitja për festë, zjarret, mbledhja e luleve, veroret
Një ditë para festës (më 13 mars), fëmijë të vegjël të moshave 6-13 vjeç dilnin nëpër pyll për të mbledhur bimë e lule të ndryshme, si hurthi, lule mujshini, lule thane, manushaqe, rrënjë carangthi etj., të cilat ishin lulet e para që kishin çelur. Ato do të vendoseshin nëpër muret e shtëpisë dhe te portat, në mënyrë që agimi i datës 14 Mars ta gjente shtëpinë sa më të zbukuruar. Disa nga bimët e mbledhura, si lule mujshini, barishtet e njoma, lulet e thanës, manushaqet etj, futeshin në një enë të mbushur me ujë dhe me këtë ujë, në mëngjesin e 14 Marsit, gati pa gdhirë mirë, gruaja më e moshuar e familjes do të spërkaste çdo dhomë të shtëpisë, si dhe të gjithë pjesëtarët e familjes që ishin akoma në gjumë. Gjithashtu mbledhnin edhe pak bar të njomë, ujë pa folur dhe ua sillnin bagëtive.
Një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre për të festuar fillimin e kësaj feste. Nënat dhe gjyshet gatuanin ushqimet, duke mërmëritur në heshtje urime dhe formula magjike. Ato zienin misra, bënin kuleçë të ëmbël me arra, zienin vezë, përgatitnin byrekë, gatuanin pulë ose gjel-deti etj., dhe vitet e fundit përgatitnin edhe ëmbëlsira, si revani, bakllava, kabuni etj., të cilat do të konsumoheshin në drekën dhe darkën e 14 Marsit. Gjatë kësaj kohe, nënat dhe gjyshet kishin bërë gati dhuratat për fëmijët e vegjël, si mollët, dardhat, shegët, arrat, palat e fikut, vezët e ziera e të tjera, me të cilat do të qerasnin edhe fëmijët e fshatit ,që do vinin për vizitat e mëngjesit të datës 14 Mars.
Në natën e 13 marsit, të rinj e të reja ndiznin zjarre në kodra, ara ose në oborret e shtëpive, duke djegur stivat me shkarpa, ose dru të thata të grumbulluara enkas për këtë festë. Nga djegia e tyre krijohej shumë tym dhe flakë, që simbolizonin largimin e dimrit, zhdukjen e së keqes, të prapësive dhe i të gjitha të ligave që kishte mbartur viti që kaloi.
Dita e Verës ishte edhe dita e veroreve (verojkave). Verorja ngjizej me bestytninë e fuqisë mbrojtëse nga e liga. Besohej se ajo i mbronte fëmijët nga sëmundjet dhe të marrët mësysh. Në aforizmin “Dimri qe me curle dhe vera vjen me lule”, shprehej “filozofia” popullore, se plogështinë, papastërtinë dhe sëmundjet i kishte marrë dimri me vete. Fëmijët kishin mbledhur në pyll edhe rrënjë carangthi, e cila ishte një lloj bime që rritej në ato anë, e cila do të shërbente për të bërë fijet e verores. Gratë i shtypnin këto rrënjë duke i zbutur dhe duke i rrahur deri sa ato të merrnin formën e një shtëllunge të leshtë, me të cilën, pastaj, ato do të bënin fije peri. Fijet që kishin dalë nga shtëllunga e rrënjëve të carangthit bashkoheshin me fije prej lesh deleje, të cilat ishin të ngjyrosura me ngjyra të kuqe, të bardha dhe jeshile. Me to krijoheshin unaza (verore), të cilat lidheshin në kyçin e dorës në formën e një byzylyku. Fëmijëve të vegjël, veroret ua qepnin në rrobat e trupit. Sipas banorëve të krahinës së Çermenikës, ngjyrat e veroreve përfaqësonin: e kuqja, e cila ngjasonte me gjakun, përfaqësonte jetën; e bardha pastërtinë, sinqeritetin dhe shëndetin; ngjyra jeshile shprehte gjelbërimin, lulëzimin dhe begatinë.
Veroret në krahinën e Çermenikës kanë edhe ngjyrën e blertë, ndryshe nga veroret që viheshin në qytetin e Elbasanit dhe në vende të tjera të Shqipërisë, që kanë vetëm dy ngjyra, të kuqe dhe të bardhë. Disa nga veroret vareshin në degët e thanave, shelgjeve etj., për të sjellë mbarësi dhe fat. Veroret për shumë kohë nuk kalbeshin, as te njerëzit dhe as te pemët. Në fshatin Gurakuq përgatiteshin disa vargje me rruaza, të cilat quhen “larza“ dhe ua vendosin në kokë lopëve, viçave dhe qingjave.
Në disa fshatra të Çermenikës, copëzat e rrënjës së carangthit zgolloheshin (gropëzoheshin), mbusheshin me ujë dhe hidheshin mbrapa shpine (kryesisht nga të rinjtë dhe të rejat). Nëse zgolla binte përmbys, për të riun apo të renë nuk parashikohej mbarësi atë vit, ndërsa, nëse binte së mbari, atëherë besohej se i riu apo e reja do të kishin fat.
Festa më 14 Mars
Më datë 14 Mars zgjimi bëhej që pa gdhirë. Më herët zgjoheshin të moshuarit, që do të hapnin derën e shtëpisë për bujari. Njëra nga gratë e moshuara, merrte shtamën dhe shkonte te burimi për të mbushur ujë të freskët. Pasi kthehej nga burimi, ajo nxirrte nga toka një plis bari të gjelbëruar dhe e sillte në shtëpi. Uji që kishte mbetur nga ena, ku kishin qenë vendosur lulet dhe barërat e mbledhura një ditë më parë, përzihej me ujin e enëve me të cilin fëmijët dhe të rriturit do të lanin sytë dhe fytyrën atë mëngjes. Me ujin që mbetej, ajo do të spërkaste ambientet e shtëpisë dhe familjarët që nuk ishin zgjuar akoma. Spërkatja bëhej duke uruar: “Të lonça gjumin!” dhe duke përshpëritur: “Unë i dimnova, ti veroi!”. Pjestarët e familjes, të vegjël e të rritur, pasi ishin larë që të gjithë, ata visheshin me rroba të reja. Njerëzit përshëndeteshin me njëri-tjetrin dhe uronin: ”Të shkoftë vera me shëndet!”.
Gjatë paraditës, fëmijët dilnin nga shtëpia, për të nisur vizitat te të afërmit, komshinjtë dhe më gjerë, te bashkë fshatarët nëpër fshat. Ata shkonin për vizitë në shtëpitë që dëshironin vetë. Me vete merrnin një kanaçe me ujë, si dhe një plis dheu me bar të njomë, të cilën e hidhnin në oborr të shtëpisë ku hynin, duke thënë: “Mujshini, Dit’Vera,/Plisi te dera!”. Në rast se fëmijëve-vizitorë nuk u përgjigjeshin me bujari, atëherë fëmijët largoheshin të zemëruar, duke bërtitur me zë të lartë: “Marrsh’ morrat e pleshtat! Gjumin e sabahut! Ethet e verës!...Me çekiça derës!”. Fëmijëve u dhuroheshin nga të zotët e shtëpive ku kryenin vizita, vezë të ziera, mollë, arra, ftonj, pala fiku, kuleçë etj. Ndërsa merrnin dhuratën, ata, shënd e verë dhe plot humor, uronin: “Të gjet’vera me shëndet,/arra gunga mos na jep!”. Duke bërë humor, që t’i gjente vera të pastër e të ishin të tillë gjatë gjithë vitit, ata thoshin: ”Më ka ç’u sorra/ për një dorë morra;/ po s’m’i dhe,/ t’u thaftë dora!”.
Të rriturit, kudo që do të takohesin, përshëndeteshin me njëri-tjetrin, duke uruar: “Gëzuar me gjithë sa ke! Të zëntë më mirë mot! T’u bëftë jeta verë!” dhe pyeteshin: “Si dole për verë? Sa (bagëti) nxore në verë? ” etj.
Prerja e drurit në pyll
Dita e Verës ishte festa më e madhe dhe kryefesta e Çermenikës. Atë ditë nuk punohej as brenda, as jashtë shtëpie. Në Ditën e Verës do të kryhej riti i provës së tehut të sëpatës, me të cilën priteshin drutë në pyll. Dy burra (familjarë, të lagjes apo të fshatit) qëndronin para një peme të re e të njomë me nga një sëpatë në dorë. Ata përsërisnin disa herë me zë të lartë, duke thënë njëri: “E presim?” dhe tjetri ia kthente: “Të mos e presim!”. Në fund garën e “fitonte” i dyti dhe druri i ri e i njomë nuk pritej. Por sëpata do të provohej duke prerë një dru të thatë. Mesazhi që donin të përcillnin Çermenikasit, me këtë rit domethënës, ishte: E reja duhet të rritet, të zhvillohet dhe të lulëzojë. Jeta nuk duhet të ndërpritet në mes në mënyrë arbitrare, pasi përzgjedhjen e bënte vetë natyra, nëpërmjet plakjes, tharjes dhe vdekjes natyrale.
Dreka e Ditës së Verës. Daljet dhe argëtimet në natyrë
Dreka e Ditës së Verës shijohej gëzueshëm, me rite dhe me humor. Në Çermenikë organizoheshin dalje të organizuara në natyrë pranë një pylli, lëndine, pranë burimeve të freskëta ose livadhe etj., ku kishte nisur të mugëllonte bari e të çelnin lulet e stinës. Piknikët organizoheshin familjarisht, ose dhe më gjerë. Pasi zgjidhej vendi i përshtatshëm, drekohej në natyrë. Ushqimet që konsumoheshin ishin të parapërgatitura që në darkën e kaluar. Ushqimet shoqëroheshin me pije të ndryshme, si lëngje frutash, apo fruta të thata etj. Këndohej e vallëzohej, me ose pa shoqërim të veglave muzikore dhe organizoheshin lojëra të ndryshme popullore, si mundje, vrapime, kërcime etj.
Fëmijët e vegjël vraponin hareshëm nëpër lëndina, mblidhnin lulet e stinës dhe luanin me njëri-tjetrin. Në festime kishin dalë edhe djemtë dhe vajzat e reja shtëpiake, të cilët në këtë ditë dilnin për të festuar Ditën e Verës së bashku me familjarët e tyre. Të rinjtë, që shiheshin për herë të parë me njëri-tjetrin, pëlqeheshin, ose dhe dashuroheshin. Atë ditë prindërit u vinin syrin dhëndurëve apo nuseve të ardhshme dhe shkuesit piketonin më të mirët, apo të mirat, ku do ndërhynin për shkuesi. Pas Ditës së Verës shtoheshin shumë fejesat dhe martesat brenda dhe jashtë fshatit.
Festa e Ditës së Verës vijonte edhe në mbrëmje. Njerëzit, të cilët ndërkohë ishin kthyer nga shëtitja në natyrë, shtroheshin për të ngrënë darkë. Fëmijët pritnin me padurim, pasi atyre atë natë do t’u shpërndaheshin dhuratat, të cilat ishin parapërgatitur nga prindërit e tyre enkas për ta. Sofrat shtroheshin me gjellët më karakteristike të krahinës, si: tavë me pestil, tavë kosi me mish qingji, tavë me qullë arrash e pulë, çomlek, byrek me vezë, ëmbëlsira tradicionale, si pekmez, mjaltë, pije të ndryshme, lëngje frutash të ziera, fruta të ruajtura gjatë dimrit, fruta të thata etj. Familjarët hanin, pinin dhe uronin njëri-tjetrin deri natën vonë. Këndohej dhe luheshin valle nën tingujt e fyejve, dajreve, daulleve, tomrrave, pipzave etj. Shkëmbeheshin vizita mes të afërmish dhe komshinjsh. Familjet që kishin qoka apo sebepe, atë natë prisnin shumë vizitorë për urim në shtëpinë e tyre. Në këtë natë feste bëheshin pajtesa dhe shuheshin shumë mëri dhe qejfmbetje.
Darka shtrohej në sofër, rreth së cilës uleshin për të ngrënë të gjithë pjesëtarët e familjes dhe të ftuarit.
Me ngënien e darkës përfundonte edhe festa e Ditës së Verës në krahinën e Çermenikës.
Kremtimet e Ditës së Verës kanë vijuar të festoheshin masivisht në krahinën e Çermenikës, deri në mesin e viteve ’60 të shekullit të kaluar. Zhdukja e pronës private dhe krijimi i të ashtuquajturave prona të përbashkëta, siç ishin kooperativat bujqësore, si dhe zhdukja me dhunë e disa prej traditave dhe e “zakoneve prapanike“ nga regjimi komunist, sollën edhe zhdukjen e disa prej vlerave dhe traditave të lashta popullore me origjinë pagane, siç ishte dhe festa e Ditës së Verës.
Festa e Ditës së Verës ruhet ende në kujtesën e atyre Çermenikasve që janë të moshës mbi 50-vjeçare, të cilët i kujtojnë me mall vitet e vegjëlisë, kur e festonin së bashku me familjarët e tyre Ditën e Verës, ceremonitë e shumta që organizonin me këtë rast, ushqimet që konsumonin, dhuratat që merrnin nga të afërmit e tyre etj.
Vitet e fundit, pas shpalljes së Ditës së Verës si festë zyrtare, kremtimet e saj në Cermenikë po marrin gjithnjë e më shumë hijeshi e larmi rituale e masiviteti.
(Marrë nga libri “Zana dhe Dita e Verës në Çermenikë e në viset e tjera shqiptare”. Tiranë 2015, faqe 51-57)Avni Alcani dhe Ferit Fixha