11/11/2022
Informacion per nxenesit.
Qyteti i vogël i Kuçovës gjendet 17 km në verilindje të Beratit. Për të shkuar atje, duhet të ktheheni në Urën – Vajgurore (10 km nga Berati). Prej këtej ju mbeten edhe rreth 5 km deri në Kuçovë. Përgjatë kësaj rruge, në vendin e quajtur Meteor, rreth 2.5 km nga Ura – Vajgurore, gjendet aerodromi i Kuçovës , i pari i ndërtuar në Shqipëri, nga kompania italiane e naftës AIPA në vitet 1930.

Qyteti i vogël i Kuçovës sot përbëhet nga rreth 30 mijë banorë. Në shek. XVII ka qenë thjesht një qëndër e banuar. Më vonë, më 1928 u njoh si komunë në varësi të Beratit. Pas vitit 1950 qyteti njohu zhvillimin e tij më të madh ekonomik, social dhe demografik, pasi u kthye në qendrën më të madhe të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës në vend. Nafta e Kuçovës ishte e njohur si lëndë e djegshme (mbi sipërfaqe) qysh në Antikitet. Më
vonë, në fund të Luftës së Parë Botërore, më 1918, nafta u zbulua nga inxhinierë austriakë. Gjatë periudhës zogiste, në vitin 1928, u shpua
dhe pusi i parë në Kuçovë, i quajtur D-1. Nafta u shfrytëzua fillimisht nga kompania italiane AIPA, deri më 1943, ndërsa më 1944 ajo u shfrytëzua
nga ushtria hitleriane. Më vonë, përgjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, burimet u shfrytëzuan nga regjimi komunist. Meqenëse
gjatë kësaj periudhe naftës iu dha një përparësi absolute, qyteti kaloi në një stad tjetër, duke u shndërruar në një nga qendrat më të industrializuara
të Shqipërisë. Në nder të miqësisë shqiptarosovjetike, më 10 korrik 1951, Kuçovës iu ndërrua zyrtarisht emri në Qyteti Stalin. Këtë emër qyteti e mbajti deri më 1990, kur rimori përsëri emrin Kuçovë.
Për këto arsye, peizazhi përreth dhe brenda qytetit është i dominuar nga impiantet e naftës, si dhe të fabrikave e uzinave të lidhura
me këtë industri. Terreni në Kuçovë është fushor e kodrinor, por, për shkak të pozicionit gjeografik, në skajin më lindor të ultësirës perëndimore
dhe të mikroklimës, këtu regjistrohen gjithmonë temperaturat më të larta në stinën e verës në të gjithë Shqipërinë